Analisti nga Tirana, Ben Andoni, ka thënë se debatet në Amerikë janë ndjekur pjesërisht nga mediat në Shqipëri, pasi sipas tij ka pasur tensione të brendshme në politikën shqiptare.
Ai në një intervistë për Kosovo Online ka shtuar se te opozita ka një frymë optimiste për fitoren e Trump, pasi sic thotë Andoni, besojnë që ai do t’ia heqë “nongratan” Sali Berishës.
Ndërkaq sa i përket kryeministrit të tanishëm Edi Rama, Andoni përmend investimin e dhëndrit të Trump në Shqipëri.
“Për hir të vërtetës, debatet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo thjeshtë përballjet mes dy kandidatëve kryesorë zotit Trump dhe zonjës Kamala Harris janë ndjekur në mënyrë shumë pjesore pa çka se mozaiku i mediave në Shqipëri është jashtëzakonisht i varfër. Kjo sepse tensionet e brendshme politike në vend kanë prevaluar mbi situatën e SHBA’së. E çuditshme është mënyra se si palët e ndryshme janë qasur ndaj ardhjes së njërit apo tjetrit kandidat. Ka në pjesën e opozitës shqiptare një frymë gjithnjë e më optimiste për ardhjen e zotit Trump sepse besojnë që ardhja e zotit Trump mund të ndikojë në heqjen e “non grata” të Berishës por edhe të një politike krejtësisht të re sa i përket opozitës në Shqipëri ndërkohë që mazhoranca është diçka më e qetë kjo për shkak se zoti Rama, javë më parë përmes institucioneve dhe qeverisë së tij, ka lënë hapësirë për një investim të familjes së Trump në një nga vendet më interesante turistike të Shqipërisë. Shqipëria dhe Serbia kanë një qasje shumë interesante për sa i përket pritshmërisë së zgjedhjeve në SHBA”, deklaroi ai.
Andoni tha se është “pak e çuditshme” që në Kosovë ka një lloj skepticizmi për ardhjen e Trump si president.
Ai shtoi se Kurti ka bërë disa lëvizje që janë larg boshtit të dialogut.
“Ndërsa në Kosovë është pak e çuditshme sepse ka një lloj skepticizmi sa i përket ardhjes së zotit Trump sepse zoti Trump ka qenë për zgjidhje parciale ekonomike në Kosovë dhe kjo duket edhe nga lëvizjet e fundit të zotit Kurti që ka disa lëvizje që mund të themi se janë pak larg boshtit të dialogut”, ka thënë Andoni.