Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga ministra, deputetë, zv-ministra, asamblistë, aktivistë e bashkëqytetarë, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në varrezat e martirëve në kodrën e Çabratit në Gjakovë, me rastin e ditëve përkujtimore të Epopesë së Çabratit.
Kryeministri Kurti, në fjalën e tij para familjarëve të pranishëm, tha se sakrifica e këtyre burrave dhe grave të Gjakovës gjendet në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Vrasjet në numër të madh të burrave, grave, pleqve e fëmijëve, trupat e të cilëve gjenden këtu e në vende tjera, tregojnë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe tentativë për shfarosjen e popullit shqiptar, projekt ky i cili ka dështuar si rezultat i luftës sonë të shenjtë çlirimtare. Sot 25 vite më vonë, shteti i Kosovës është në mënyrë të padiskutueshme më i fortë, me ushtrinë e policinë e Kosovës të cilët nuk do të lejojnë që kurrë të përsëritet diçka e ngjashme, pavarësisht se fqinji ynë verior vazhdon sulmet ndaj shtetit të pavarur të Kosovës”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti./EO/