Kryeministri Albin Kurti tha se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dëshirojnë ta kritikojnë e sulmojnë atë, më shumë sesa ta largojnë nga drejtimi i vendit.
Kurti tha mbrëmë nga Brukseli se është i gatshëm “edhe për qeverisje demokratike, edhe për zgjedhje të reja”, raporton Gazeta Express.
“Unë u përpoqa të mundësoj zgjedhje të reja demokratike tash që jam në vitin e fundit të mandatit tim dhe kur zgjedhjet e ardhshme nuk janë më çështje vitesh por janë çështje muajsh. Thamë ta diskutojmë bashkërisht shpërndarjen e Kuvendit në një muaj dhe stinë të përshtatshme, por duket që pjesa më e madhe e opozitën në Kosovë vetëm një gjë e dëshirojnë më shumë sesa largimin tim, e kjo është kritikën e sulmin ndaj meje, që nënkupton se duhet të vazhdoj të mbetem kryeministër deri kur, më së largu, bëhen katër vite e pastaj nuk do të mund t’i shtyjnë më”, tha ai para gazetarëve kur u pyet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Kurti duket se nuk është më i interesuar të diskutojë me partitë opozitare “se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës”, kështu siç pati thënë pas një darke me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi më 13 maj.
Në një mbledhje të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, ai iu tha anëtarëve të partisë se zgjedhjet do të mbahen vitin e ardhshëm pasi “opozita nuk mund t’i shtyjë pafundësisht”.
Një përpjekje që u duk se po bëhej që vendi të shkonte para kohe në zgjedhje parlamentare, u shpall e dështuar në fund të majit.
PDK-ja insistoi që të shpërndahej Kuvendi dhe Krasniqi ishte optimist se do të merrej vesh për këtë me kolegët e tij opozitarë, pasi një dakordimi paraprak me Kurtin.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk u pajtuan që vendi të shkojë në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit, por kërkuan dorëheqjen e Qeverisë.