Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se sot në orën 15:00 kryeministri Albin Kurti do ta presë në takim ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
O’Brien e viziton Kosovën një ditë pasi që ka qëndruarnë Serbi.
Gjatë qëndrimit atje ai ka dhënë një intervistë për transmetuesin publik serb duke thënë se kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të respektohen.
O’Brien ka deklaruar se sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e rëndësishme që të respektohen marrëveshjet. Në këtë drejtim, ai tha se duhet që në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës të kalojë një draft-statut për Asociacionin.
Të dielën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se është takuar me ndihmëssekretarin amerikan, me të cilin tha se ka diskutuar për situatën në Kosovë dhe për forcimin e bashkëpunimit. Vuçiq ka shkruar në Instagram se serbët e Kosovës po përballen me sfida, duke i kërkuar zyrtarit amerikan që “mbështetja e fortë e SHBA-së mund të kontribuojë në stabilitetin e rajonit”.
“Shpreha shqetësimin tim për sfidat me të cilat po ballafaqohet populli serb çdo ditë. Theksova nevojën për një angazhim më të madh të SHBA-së në këtë çështje, pasi mbështetja më e fortë dhe pjesëmarrja aktive e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb ka shtuar se Serbia është e përkushtuar për integrimin evropian, e reformat e BE-së tha se janë “të nevojshme për të përmirësuar bashkëpunimin”.