Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova këtë vit do të përballet sërish me një fqinj të vjetër, i cili “po përkeqësohet”.
Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka përmendur arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në kufi, duke thënë se kjo është sjellje e qëllimshme dashakeqe e Serbisë. Ai tha se përkundër marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia po e sulmon Kosovën dhe po i mbron kryerësit e veprës me në krye Milan Radoiçiqin, raporton Gazeta Express.
“Megjithatë, përkundër ndryshimeve prozitive e progresiste për vendin tonë, edhe ky vit po na e trashëgon një fqinj të vjetër, i cili po përkeqësohet. Javën e kaluar, dy qytetarë të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Dakaj u ndaluan dhe u arrestuan në kufi me Serbinë. Hasan Dakaj edhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbritrare. Kjo nuk është hera e parë dhe as nuk paraqet një rast të izoluar. Kjo është një sjellje e qëllimshme dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Kurti.
Ai përmendi Petrit Dulen dhe Nezir Mehmetajn, që po mbahen që moti në burgjet e Serbisë “për gjoja kryerjen e krimeve kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë”.
“Nezir Mehmetaj ka qëndruar me muaj të tërë në paraburgim pa aktakuzë, në kundërshtim edhe me vetë ligjet e Serbisë, të gjetura këto që i ka theksuar edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi”, tha Kurti.
Petrit Dula është dënuar në shkallë të parë, përkundër që, siç tha Kurti një dëshmitar ka mohuar se ai ishte përgjegjës për një krim.
“Ministra e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në dritë të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në dritë të rrugës ssë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona, ka kërkuar ekstradimin e Petrit Dules dhe Nezir Mehmetajt nga autoritetet e Serbisë. Përgjigje nuk kemi pranuar kurrë. Vetëm lajme për vazhdim të procesit gjyqësor kundër dy shtetasve”, tha Kurti.
Kryeministri tha se Serbia është bërë e rrezikshme edhe për qytetarët e saj, pasi përmendi rastin e rrahjes dhe arrestimit të Nikola Sanduloviqit, kryetarit të Partisë Republikane serbe.
Kurti tha se në Serbi nuk vlejnë konvektat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pakicave.