Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Serbia të dorëzojë vrasësit e aktivistit Enver Hadri pas konfirmimit të dënimit të tyre nga Gjykata Penale në Bruksel të martën (dje).
Gjykata Penale në Bruksel dje konfirmoi burgimin e përjetshëm për Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin, të cilët bashkë me Bozhidar Spasiqin, ishin dënuar në vitin 2016 me burgim të përjetshëm për vrasjen e Enver Hadrit në vitin 1990 në Bruksel.
Pavarësisht konfirmimit të fajësisë, të dënuarit nuk janë dorëzuar për t’u paraqitur para drejtësisë belge, pasi autoritetet serbe kanë refuzuar të bashkëpunojnë.
Për konfirmimin e dënimit të vrasësve të Hadrit, Kurti theksoi se ky është triumf i drejtësisë, por kërkoi që ky proces të kompletohet me dorëzimin e autorëve nga Serbia.
“Ky konfirmim i sistemit të drejtësisë së Belgjikës për dënimet paraprake me burgim të përjetshëm për vrasësit e Enver Hadrit, është një triumf i drejtësisë që për t’u kompletuar, do të duhej të pasohej nga bashkëpunimi i autoriteteve të Serbisë duke i dorëzuar këta tre vrasës te autoritetet e Belgjikës”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.
Enver Hadri, i njohur për angazhimin e tij në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe për përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, u vra më 25 shkurt 1990 në Bruksel. Ky akt i shërbimeve sekrete serbe ka qenë një nga ngjarjet më tragjike të periudhës, duke lënë pas trashëgimi të rëndësishme në historinë e Kosovës.
Në fillim të këtij viti, Qeveria e Kosovës pati ndarë 100 mijë euro për mbështetje juridike dhe financiare të procesit gjyqësor për familjarët e Hadrit.