Kryeministri Albin Kurti ka thënë se çlirimi dhe sakrifica e shumë gjeneratave për Pavarësinë e Kosovës ia ka vlejtur, duke thënë se vendi tani është më i zhvilluar se kurdoherë më parë.
Në fjalimin hyrës në mbledhjen e Qeverisë të enjten, Kurti ka theksuar se ekonomia e Kosovës po vazhdon të rritet e shteti po bëhet më i zhvilluar.
“Ekonomia e vendit tonë sivjet do të jetë pesë herë e gjysmë më shumë se në vitin 2000. Pas më pak se 25 vjetëve, ekonomia është rritur pesë herë e gjysmë. Krahasuar me vitin që u shpall Pavarësia, bruto produktin vendor do ta kemi gati tre herë më të madh. Krahasuar me katër vjet më herët, e kemi sivjet 50 për qind më të lartë bruto produktin vendor. Qytetarët janë më të lirë, shteti është më i pavarur dhe më i zhvilluar se kurdoherë më parë, demokracia është përherë më e shëndoshë e qeverisja po bëhet përherë e më e mirë. Çlirimi, sakrifica gjithëkombëtare ndërgjenerata, Pavarësia, ia kanë vlejtur sot, si në aspektin e ekonomisë, ashtu edhe demokracisë. Puna jonë vazhdon”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka shprehur mirënjohje dhe nderime “për të gjithë ata që sakrifikuan për liri”, ndërsa falënderoi institucionet që u morën me organizimin e përvjetorit jubilar të Ditës së Çlirimit. 25-vjetori i çlirimit u shënua me disa aktivitete gjatë ditës së djeshme.
Nga të gjitha pikat e rendit të ditës, Kurti e ka konsideruar miratimin e “strategjisë për drejtësi tranzicionale” si më kryesoren. Ka thënë se për herë të parë pas përfundimit të luftës do të ketë strategji për drejtësi tranzicionale.
“Është hap përpara për të adresuar plagët e së kaluarës. Zbatimi i saj kërkon përkushtim e bashkëpunim nga të gjithë”, ka thënë ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm miratimin e kësaj strategjia, e cila sipas saj, do të adresojë krimet e luftës dhe do të kërkojë kompensime për shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Kosovë.