Ani se u pyet disa herë në lidhje me deklaratat e presidentes së vendit, Vjosa Osmani se ka një “lloj pajtimi” për dinarin me amerikanët, kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të përgjigjet secilën herë në lidhje me këtë çështje. Arsyetimi – “po dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës”.
Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, pyetja e parë që iu bë Kurtit në lidhje me dinarin, ishte ajo që ka të bëjë me një zhvillim aktual, takimin e sotëm në Bruksel. Në të njëjtën kohë, ai u pyet edhe për deklaratat e Osmanit.
Këtu s’u përgjigj, vetëm tha se Bislimi si kryenegociator po zhvillon bisedime dhe se nuk dihet ende nëse do të ketë takim trepalësh.
Sërish, kryeministri u pyet për Osmanin. Gazetari ia tha kryeministrit se do të kthehet te ajo që tha më herët, pra: “Presidentja ka thënë se ka një lloj pajtimi për këtë gjë. A jeni konsultuar me presidenten?”.
Kurti sërish refuzoi të përgjigjet për presidenten Osmani, e cila kohëve të fundit jo rrallëherë ka treguar qëndrime të ndryshme nga Qeveria Kurti. Sipas kryeministrit, nuk mund të diskutohen opsionet për çështjen e dinarit, pasi “dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës”.
“Ka pasur vazhdimisht opsione të ndryshme për çështjen e dinarit. Unë nuk besoj që duhet të diskutohen tash, sepse dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës nëse ato shpalosen para kohe. Ajo çfarë mund të them është që Qeveria po e bën më të mirën e mundshme, me përkushtim maksimal dhe natyrisht që këtë ne e kemi si mbështetje për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Nuk ka kurrfarë ndëshkimi për serbët. Pra, rregullorja e re nuk është ndëshkim, por është një përpjekje e radhës shumë serioze për të bërë formalizimin, legalizimin e transaksioneve financiare.” – ka thënë ai.
Duke folur tutje për propozimet e ndërkombëtarëve, në këtë rast emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Kurti ka thënë se “s’do t’ua bëjë zëdhënësin ambasadave”.
“Ata japin vazhdimisht propozime. Unë nuk është e thënë që propozimet e tyre t’i shpalos publikisht duke bërë zëdhënësin e ambasadave. Nuk e bëj dot këtë punë. Unë po tregoj që ne i kemi ofruar një letër Bankës Popullore të Serbisë nga ana e guvernatorit, që në këtë rast na përfaqëson të gjithëve si qytetarë të Republikës, juve si gazetarë, mua si kryeministër dhe ne presim përgjigje nga ana tjetër.” – deklaroi kryeministrin.
Kur është pyetur për propozimet e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ai ka thënë se ka disa propozime.
Ai ka bërë me dije se nuk do të pranohet asnjë propozim që është në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së.
“Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së dhe njëkohësisht ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme. Sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë Banka Qendrore e Kosovës. Në Republikën demokratike janë detyrat dhe funksionet e ndara”, është shprehur Kurti.