Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te varri i heroit Bahri Fazliu, në varrezat e dëshmorëve në Velani, në 26- vjetorin e rënies heroike të tij.
Kurti tha se nuk duhet harruar asnjëherë, se punën më të madhe, më të rëndë, më të vështirë, e kryesoren, e kanë kryer dëshmorët e kombit.
“Ai u vra në betejë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe në Bogiq, në vendi i cili ndodhet në kufi të Kosovës edhe me Shqipërinë edhe me Malin e Zi. Pra, një vend domethënës i cili është edhe në përputhje me idealet e Bahri Fazliut – Gzimit, për çlirim e për bashkim kombëtar”, u shpreh kryeministri Kurti pas homazheve.
Duke kujtuar e nderuar figurën e Bahri Faziut-Gzimit, kryeministri tha se, ai është jo vetëm dëshmor i kombit, por edhe veprimtar i shquar, edhe luftëtar çlirimtar edhe artist, këngëtar, instrumentist e poet i cili ka lënë shumë shkrime, ka lënë shumë poezi, të cilave nuk iu mbaron asnjëherë aktualiteti.
“Ato tregojnë qysh liria është më e vlefshme, më e shtrenjtë se sa jeta dhe se si për çlirimin e popullit kundër padrejtësive, robërisë, kundër okupatorëve, shtypësve e shfrytëzuesve, duhet organizuar rezistenca deri në ngadhënjimin përfundimtar të popullit, të kombit, të shoqërisë e të qytetarëve”, tha Kurti.