Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve, pas raportimeve se ka pasur një tentim-atentat ndaj tij.
Të shtunën, pas homazheve te ish-aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, që vdiqën gjatë protestës së vitit 2007, Kurti ka thënë se ka mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët në Beogradin zyrtar.
“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë Kurti para gazetarëve.