Në Pejë e ka mbajtur tubimin qendror Lëvizja Vetëvendosje të enjten. Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti ka folur rritjen ekonomike e investimet në ushtri e shëndetësi. Ka thënë po ashtu se kanë ulur edhe numrin e qytetarëve që kërkojnë trajtim shëndetësor jashtë shtetit. Paraprakisht ai ka vizituar e ka takuar qytetarë në rajonin e Pejës, si në Drenas, Klinë e Istog
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se opozita është duke udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kërkim të gjetjes së zyrtarëve amerikanë që e kritikojnë atë.
Në tubimin qendror në Pejë, të enjten Kurti ka thënë se opozitarët janë duke e kërkuar “fatin me qiri te ndonjë ndërkombëtar i cekët, e jo në thellësi historike të kombit tonë ku gjithmonë gjenden zgjidhjet më të mira për popullin”.
Sipas Kurtit, një veprim i tillë nga opozitarët është duke dhënë shumë sinjale për atë si kryeministër.
“Prandaj këta të cilët këqyrin me gjetë ndonjë zyrtar amerikanë me ja u sha kryeministrin e republikës së tyre, këta nuk duhet kurrë të kthehen, të dashur qytetarë. Për këta nuk mund të kemi as vlerësim, as respekt. Në vend që me i përdorë, me i mirëpërdor SHBA-në kundër Serbisë, këta këqyrin atje me shku me gjetë ndonjë zyrtar kundër kryeministrit tuaj. Merreni me mend çfarë derexhe kanë ra. Unë e kam ditë që jam i fortë, veç nuk e kam ditë që jam kaq i fortë. Me shku në Amerikë me lyp zyrtarë për me i mëshu kryeministrit Kurti, kjo po thotë diçka për mua, për të cilën unë nuk jam i vetëdijshëm. Prandaj me datën 9 shkurt, këta ish-qeveritarët që po dojnë me u kthy, i çoni në pakthim”, ka thënë Kurti.
Tri ditë më parë, emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ka shkruar në platformën “X” se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Albin Kurtit.
“Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, ka shkruar Grenell të hënën.
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në Pejë ka thënë se terminalet doganore të privatizuara nga individë të caktuar i janë kthyer shtetit.
“Një ish-komandant, i cili ka kontribuuar në luftë, ka rreziku në luftë. Po pas lufte e privatizoi një terminal doganor. Çka po i vyen ish-komandantit terminali doganor. Çka i vyen? Çka ka punë ish-komandanti me terminalin doganor? Edhe a e di çka dojke me bo ai, dojke edhe me ia lanë djalit të vet. Mirëpo Vetëvendosje kur fitoi, kjo VV-ja u bo gërshërë edhe ja kena pre terminalin doganor, e kemi bërë shtetëror. Nuk ka me ia bartë djalit të vet se e ka marrë shteti që ua jep krejt djemve e vajzave të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Njëjtë tha se është vepruar edhe me homologimin.
“Rinisë edhe fëmijëve duhet me ua garantu sigurinë karshi Serbisë dhe duhet me ua garantu që të gjitha keqpërdorimet e deritashme i kthehen Kosovës”, ka thënë ai.
Kurti nga Peja ka folur edhe për investimet në këtë komunë. “Do të investojmë edhe në teleferikun në Rugovë, turizmin cep më cep bjeshkëve tona spektakulare për nga bukuria”, ka thënë ai.
Kandidati për kryeministër ka thënë se investime janë bërë edhe në ushtri e në shëndetësi.
“Në katër vitet e qeverisjes sonë numri i atyre që kanë pasur nevojë për shërbime mjekësore jashtë vendit është ulur nga mbi një mijë në më pak se 400, një ulje prej mbi 60 për qind. Sot ma shumë se 600 persona që më parë do të kërkonin trajtim jashtë vendit tash duhet të trajtohen në vendin tonë. Kjo është përparësia e madhe që është arritur me qeverisjen tonë. Të sëmurët, shumica dërmuese nuk shkojnë jashtë vendit se i kemi klinikë pas klinike të transformuara shërbimet mjekësore”.
Foli edhe për investimet në fushën e mbrojtjes.
“Ushtrinë tonë e kemi pajisur me armë moderne, me pajisje ushtarake të teknologjisë së fundit, por edhe kemi blerë dronë luftarakë, sistemin anti-tank nga Amerika dhe po blejmë helikopterë. Do ta kemi fabrikën tonë të municionit e do të prodhojmë dronë ‘Made in Kosova’”, ka thënë Kurti në Pejë.
Lëvizja Vetëvendosje, tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore do ta mbajë të premten mbrëma në Prishtinë.