Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar mbrëmë për në Hamburg të Gjermanisë, me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Ai është takuar mbrëmë edhe me bashkëatdhetarët, ku sipas ZKM’së, i ka njoftuar për zhvillimet në Kosovë, raporton Express.
“Ndër të tjerash, ai veçoi procesin e regjistrimit të popullsisë, që për herë të parë është bërë në formë online përmes e-diaspora, vendimet e qeverisë në javën e kaluar, për të ndarë tre milionë euro për mbulimin e policës kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në Republikën e Kosovës dhe tre milionë tjera për garantimin e kredive të bizneseve që hapen nga bashkatdhetarët tanë me qëllimin që bashkatdhetarët që kanë biznese në diasporë të kthehen dhe të investojnë në vend dhe miratimin e Ligjit për Zgjedhjet, i cili mërgatës iu mundëson votimin fizikisht në ambasada dhe konsullata ose votimin në postë të brendshme”, thuhet në njoftim.
Kurti do të ndjekë sot nga stadium i Hamburgut ndeshjen mes kombëtares shqiptare dhe Kroacisë, në kuadër të EURO2024.
“Vizitën në portin e Hamburgut për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në port, kryeministri do ta bëjë së bashku me përfaqësuesin Special të Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, për të vazhduar më pas edhe në stadiumin e Hamburgut në mbështetje të kombëtares shqiptare sot në përballje me Kroacinë, në kuadër të EURO2024”, thuhet në njoftim.