Të dielën, fushatën zgjedhore kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti e zhvilloi në Shtime e Ferizaj. Për qytetarët e Komunës së Shtimes ku partia e tij udhëheq tash e gati 4 vjet, mes tjerash premtoi ndërtimin e kompleksit memorial të Masakrës së Reçakut.
Flamuj si ai i Kosovës, Shqipërisë, i Dardanisë e i Amerikës me 500k, u valëvitën në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime.
Salla u mbush, e karriget u desh të riorganizoheshin për t’u bërë vend edhe disave që prisnin te dera.
Ata që s’gjenin vend në tokë gjetën diku tjetër.
Kryetari i Shtimes që vjen nga kjo parti tha se e patën zor të vendosnin për lokacionin.
Por, ministrja e Drejtësisë, që është kandidate për deputete në listë të Vetëvendosjes, ia dha një ide.
“E kam një propozim, herën tjetër shkojmë në shesh”, ka deklaruar ajo.
E atyre që i qeveris, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, u kërkoi të mos e kthejnë kohën prapa.
“Mjaft ka vuajtur Shtimja nga fati i keq i saj kur e ka pasur në krye edhe në nivelin lokal edhe qendror PDK-në”, u shpreh ai.
Me të kaluarën politike u mor edhe ministrja Albulena Haxhiu. Tha se reformat e saj në Drejtësi që i nisi në këtë mandat, do t’i përfundojë në tjetrin.
“Qytetarët nuk duan ta kthejnë Kosovën në duart e abuzuesve e zhvatësve. Ky vend nuk lejon më qeveri të skandaleve, politikanë milionera të lidhur me tendera e afera”, ka thënë Haxhiu.
E duke folur për qeverisjet e pasluftës, dikush ia ndihmoi kandidatit të Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, që ta përmbledhë më lehtë fjalinë.
“Në ato 2 dekadat e pasluftës kishim politikanë që defiluan për pushtet që defiluan për sfilatë… Atyre u ka rënë zilja. Faleminderit kush i ra ziles, që e parashikonte fjalimin tim”, ka shtuar Kurti.
Të pranishmëve Kurti u tha se për qytetin e tyre Vetëvendosje bëri për një mandat më tepër se që bënë paraardhësit për 20 vjet.
“Shtimen e kemi gjetur vetëm me një çerdhe për fëmijë. 20 vjet një çerdhe. Në katër vjetet tona po ia shtojmë Shtimes edhe katër çerdhe të tjera. Këtë muaj do të hedhim gurthemelin për çerdhen e re në Petrovë. E në plan është edhe një çerdhe tjetër në fshatin Carralevë”, ka thënë Kurti,
Në mes të fjalimin tregoi se çka do të presë kjo Komunë nga Vetëvendosje, në një mandat tjetër.
“Ndërtimi i kompleksit memorial të Masakrës së Reçakut, i dyti pas atij për Epopenë e UCK-së, për Adem Jasharin. Do ta vazhdojmë autostradën Duhël- Shtime- Banullë me gjatësi 30 km. Sivjet fillojnë përgatitjet, vitin tjetër nis puna në terren. Ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, dhe ndërtimi i Entit Special”, ka deklaruar ai.
Kryeministri e pretendenti edhe për një mandat tjetër, të dielën fushatën e vazhdoi në Ferizaj.