Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim në sheshet e Ferizajt dhe Lipjanit, të dielën. Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, është zotuar për punësim të qytetarëve, derisa ka akuzuar qeveritë paraprake se kanë punuar vetëm për ta pasuruar veten
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka premtuar të dielën qytetarëve të Ferizajt, punësim.
Në sheshin e Ferizajt, ku u mbajt tubimi, Kurti ka kritikuar qeveritë paraprake duke i akuzuar se kanë punuar vetëm për ta pasuruar veten.
“Ne jemi qeveri për nëna, ne jemi qeveri për fëmijë, e ata kanë qenë qeveri për vete, eventualisht qeveri për nënat e veta, qeveri për gratë e veta, e qeveri për fëmijët e tyre, por jo qeveri për ju, për nënat tuaja, për gratë shqiptare. Ky është dallimi i madh midis atyre ish-ish-ish që shkuan e mos u kthefshin dhe qeveria jonë që do të vazhdojë edhe pas 9 shkurtit”, ka thënë Kurti.
Ferizajasve u ka premtuar edhe spital të qytetit, projekt që ka nisur vite më parë.
“Ferizajn do ta bëjmë me spital të qytetit, po ndalem pak këtu. Projektin e spitalit që e kemi gjetur ka qenë rrezikshëm i dobët, projekti që është ngritur, nuk i plotëson kriteret, ka rrezikuar një fatkeqësi”, ka thënë ai. “Kemi dërguar edhe lëndë në Prokurori, por Prokuroria nuk ka kohë e merret, se është duke u marrë me Rozeta Hajdarin, për rezervat që i kemi plot, e nuk merret me spitalin që nuk u ndërtua kurrë, se merret me qeverinë tonë”, ka shtuar Kurti.
Ferizajasve u ka premtuar edhe rregullimin infrastrukturor brenda vitit, të magjistrales Prishtinë-Ferizaj.
“E kemi anuluar kontratën, pasi operatori ekonomik nuk i ka kryer punët e kontraktuara, e ka lënë magjistralen në gjendjen e mjerueshme që është tani. Në vitin 2025 do ta rregullojmë edhe këtë rrugë”, ka thënë Kurti.
Gjithashtu ka premtuar edhe një linjë hekurudhore
“Do ta fillojmë projektimin e linjës hekurudhore që do të fillojë nga Xërxa, do të vazhdojë në Ferizaj e pastaj në Gjilan e në Luginë”, ka thënë Kurti.
Tubim gjatë ditës së diel ka mbajtur edhe në Lipjan. Në sheshin “Adem Jashari” në këtë komunë, është kënduar për veriun e Kosovës.
Për ta forcuar sovranitetin “cep me cep”, siç është slogani i partisë në pushtet për zgjedhjet e 9 shkurtit, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i ka lutur qytetarët që të dalin e të votojnë, e me vete, siç ka thënë, t’i marrin edhe familjarët e afërt e ata të largët.
Kurti ka vlerësuar se 9 shkurti për lipjanasit është ditë e dy palë zgjedhjeve.
“Në Lipjan janë dy palë zgjedhje, tregojani vendin, as në Komunë, as në Kuvend. Ata që sakrificës së qeverisë e institucioneve u thonë që po bëjnë filma, s’e kanë vendin as në komunë e as në shtet”, ka thënë Kurti.
Ai ka ironizuar edhe me tubimin e PDK-së që po mbahej pak kilometra larg tij.
“Derisa erdha këtu, e pashë një tubim të një partie tjetër me autobusë, merreni me mend duke i bartur njerëzit me autobusët e tyre”.
Edhe në Lipjan ka kritikuar partitë opozitare se kanë qeverisur për siç ka thënë, interesa të veta.
“Atyre kurrë s’u ka shkuar mendja as për mbështetje financiare, për nënat e reja, gratë lehona, s’u ka shkuar mendja kurrë për mbështetje financiare për shtesa për fëmijë. A e di pse? Sepse ata nuk kanë qenë qeveri për familje, qeveri për nëna, qeveri për fëmijë, qeveri për gratë e Kosovës. Ata kanë qenë qeveri veç për vete. Qeveri për fëmijët e tyre, nënat e tyre, gratë e tyre, qeveri për vete”, ka thënë Kurti.
Edhe kryekuvendari Glauk Konjufca ka ironizuar me partitë kundërshtare.
“Kryetarët e komunave i kanë vendosur në lista të zgjedhjeve, VV-ja i ka gjashtë kryetarë të komunave, shumë kollaj ka qenë me i vendosë. Secilin që po e pyesin po thonë ‘jo unë nuk kam me shku në Parlament, por në komunë’. Çka është ky mashtrim? Kjo është si me porositë miell e me të dalë byk”, ka thënë Konjufca.
Përderisa fliste për rritje të buxhetit, ndërhyri një qytetar.
“Buxheti rritet se e ka Albin Kurti”, ka bërtitur një qytetar.
“Po pra”, ia ka kthyer Konjufca.
E zotim për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë ka dhënë kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu.
“Kërkesa e qytetarëve është që hajnat të shkojnë në burg e shpresoj që Prokuroria është duke e dëgjuar këtë”, ka thënë ajo.