Millan Radoiçiqi ka pasur rol kyç në bindjen e dy deputetëve të Listës Serbe, përfaqësues të komuniteteve jo serbe, Adem Hoxha – goran dhe Fadil Gashi – rom, për të votuar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentes. Të dy e pranojnë rolin përcaktues të Radoiçiqit në votim. E pranojnë se kryeministri Kurti i luti të shkonin në seancë, raporton Paparaci.
Një ditë para se Vjosa Osmani të zgjidhej presidente, dy deputetë të Grupit Parlamentar të Listës Serbe morën “aminin” e Millan Radoiçiqit për të votuar në favor të zgjedhjes së saj.
Këta dy deputetë janë Adem Hoxha dhe Fadil Gashi, përfaqësues të komuniteteve joserbe, pjesë të Grupit Parlamentar të Listës Serbe.
Hoxha dhe Gashi ishin dy nga katër deputetët që morën pjesë dhe votuan në seancën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente të dielën e 4 prillit, 2021, një ditë pasi votimi kishte dështuar në dy përpjekje të ndara.
Për të marrë pjesë seancë dhe për të votuar për Osmanin, pas një telefonate dhe takimi me kryeministrin Albin Kurti, ata e pranojnë haptas se morën leje nga Millan Radoiçiqi, shefi faktik dhe asokohe nënkryetari i Listës Serbe. Radoiçiq, asokohe ndodhej në arrati nga autoritetet kosovare si i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Në dy intervista për Paparacin, dy deputetët që përfaqësojnë komunitetet joserbe dëshmojnë për prapaskenat e ngjarjeve të 4 prillit, takimin me kryeministrin Kurti dhe rolin përcaktues të Millan Radoiçiqit për votimin e presidentes Osmani.
Dëshmitë e dy deputetëve të GP të Listës Serbe tregojnë se Radoiçiqi ka pasur rol kyç në manovrat e tyre në ditën e votimit, dhe në ditën paraprake.
Fillimisht, deputetët Hoxha dhe Gashi pohojnë se me urdhër të Listës Serbe nuk kishin marrë pjesë në seancën e parë të votimit të Vjosa Osmanit për presidente, në të cilën dështuan dy tentativat për zgjedhjet e shefes së shtetit.
Të dy deputetët tregojnë se po me urdhër të Millan Radoiçiqit kishin marrë pjesë dhe votuar për zgjedhjen e Osmanit presidente në ditën pasuese.
“Unë si parti e vetme gorane jam në grup në Listë Serbe, ne kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë, ne jemi konsultuar dhe qëndrimi ishte që të mos shkojmë në Kuvend, gjë që ashtu ishte, ditën e parë…”, e pranon deputeti Adem Hoxha. “Unë personalisht e kam pyetur kryetarin e grupit (grupit parlamentar), Igor Simiqin dhe qëndrimi ishte që të mos shkohet”.
Shkuarjes së deputetit të Partisë Unike Gorane në seancë një ditë më vonë, i parapriu një telefonatë e tij me kryeministrin Albin Kurti, pretendon ai.
“Kjo ishte dita e parë, dhe ditën e parë nuk kam qenë në Kuvend. Pas një kohe, unë në fshat, po më cingëron telefoni, dmth. rreth orës 11, e kam edhe në telefon, këtë mund ta vërtetojmë, më ka thirrur kryeministri Albin Kurti…”, thotë deputeti Hoxha.
Telefonata me Kurtin ishte e shkurtër.
“Më luti që të vij nesër, për ta thirrur mbledhjen e Kuvendit dhe ta përkrah presidenten Vjosa Osmani, ne biseduam..”, shprehet Hoxha.
Deputeti Hoxha pretendon se gjatë bisedës telefonike me Kurtin ka shprehur vullnet për përkrahje të institucioneve dhe se e ka informuar kryeministrin se fillimisht i duhej të konsultohej me Radoiçiqin.
“Unë me kryeministrin Kurti. Siç thash më herët, komuniteti goran kurrë nuk ka qenë për bllokimin e institucioneve, ne gjithmonë e kemi përkrahur funksionimin e institucioneve, dhe këtë e kemi treguar në shumë raste, dhe jemi marrë vesh që të shihemi të nesërmen, por unë i thash se së pari duhet të konsultohem me Listën serbe, konkretisht me nënkryetarin e Listës Serbe, Millanin”, shpjegon Hoxha.
Shkurtimisht, deputeti tha se Radoiçiqin e informoi për telefonatën me Kurtin.
“Unë e thirra, i shpjegova se më ka thirrur kryeministri….”, përfundoi Hoxha, i cili bashkë me kolegun e tij, Fadil Gashin, do të përcaktoheshin për votimin e Osmanit për presidente.
Të dielën e 4 prillit, para fillimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit, Hoxha dhe Gashi do të priteshin në një takim nga Kurti. Takimi derivonte nga pajtimi që qe arritur në bisedën telefonike të një dite më parë.
Adem Hoxha ishte njeriu në kontakt me Radoiçiqin. Fadil Hoxha e ndiqte atë. Kështu thotë se e kishte urdhëruar atë vetë Radoiçiqi.
Deputeti Gashi kujton se në ditën e votimit të presidentes kishte marrë ftesë nga deputeti Adem Hoxha që të shkonin në kuvend për takim me kryeministrin.
“Më 4 prill, të dielën, seanca ka qenë në orën 5, më ka thirr Adem Hoxha, kolegu im, dhe më ka thënë Fadil a mundemi mu taku te Kuvendi i Kosovës, aty jemi taku me Ademin, kemi hyrë te z. Kurti, te kryeministri dhe kemi biseduar me te dhe në orën 6 kemi zbritur në sallën e Kuvendit”, kujton deputeti Gashi.
Pas takimit, ata tregojnë se kishin zbritur poshtë në sallën e kuvendit dhe kishin votuar për Osmanin presidente.
Gashi thotë se urdhri kishte ardhur nga Radoiçiqi.
“Neve na bindi … unë përsëri po kthehem … kolegu im Adem Hoxha ka biseduar me nënkryetarin e Listës Serbe Millan Radoiçiq…”, thotë deputeti Gashi. “Unë po përsëris, unë nuk kam folur me të [me Radoçiqin, v.j], Adem Hoxha ka folur me të edhe … unë jam për herë të parë deputet … dhe si më ka thënë z. Radoiçiqi .. konsultohu me Ademin, Adem Hoxhën, ashtu edhe kemi vepruar”.
Të mërkurën e javës së shkuar, deputeti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes ka folur në telefon me Radoiçiqin në prezencën e vetë Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Ai tha se në këtë bisedë telefonike u peshkua një deputet për votimin e saj dhe praktikisht ajo u arrit. I referohej deputetit Adem Hoxha.
“Unë kam pasur një telefonatë me zotëri Radojçiq, një ditë para zgjedhjes së Presidentes, këtë e din edhe Presidentja edhe kryeministri Albin Kurti, sepse telefonata është bërë në praninë e tyre. “Është një telefonatë e tillë ka qenë sepse unë nuk mundem të gënjej, është shiku që të gjendet edhe një deputet dhe aty është peshku edhe një deputet praktikisht”, ka thënë Pacolli për Tëvë 1.
Pacolli pretendon që kjo është telefonatë është bërë me dijeninë e Osmanit dhe Kurtit.
Mirëpo, këto deklarime i ka hedhur poshtë Zyra e Kryeministrit.
Zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu, në një deklaratë për media javën e kaluar, tha se kjo deklaratë nuk është e vërtetë.
“Absolutisht e pavërtetë. Nuk ka asnjë rast në të cilin deputeti Pacolli të ketë komunikuar me Radoiçiqin në prani apo në dijeni të kryeministrit Kurti, aq më pak me kërkesë të tij”, tha zëdhënësi qeveritar.
82 deputetë kishin marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës më 4 prill, 2021, ditën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit në postin e presidentes. Në seancën e një dite më parë të votimit të Osmanit presidente, nuk ishte arritur kuorumi i mjaftueshëm prej 80 deputetësh. 78 deputetë kishin marrë pjesë në seancë.
Në ditën e diele, të zgjedhjes së Osmanit presidente, në seancë kishin shkuar edhe deputetet Adelina Granica, ish-deputete e PDK-së dhe Albena Reshitaj, ish-deputete e AAK-së.