Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se s’do të ndodheshim në këtë situatë nëse Serbia do të sanksionohej ndërkombëtarisht pas rrëmbimit të policëve vitin e kaluar dhe pastaj pas sulmit në Banjskë të Zveçanit ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Kurti tha në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë se arrestimet në masë që Serbia po i bën nëpër kufinj “nuk do të vinin në shprehje” tash, nëse ajo do të ishte sanksionuar, raporton Gazeta Express.
“Po të kishte sanksione ndaj Beogradit atëherë kur u rrëmbyen tre policët tanë, më 14 qershor të vitit të kalaur në veri të Kosovës, ose atëherë kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku nga një grup i paramilitarëve më 24 shtator të vitit të kaluar, ne nuk do të ndodheshim në këtë gjendje. Sot arrestimet në masë që i bën Serbia të qytetarëve të vendit tonë, qofshin ata qytetarë të zakonshëm që e përdorin Serbinë si vend tranzit për t’u kthyer në Kosovë nga vendet e Bashkimit Europian apo për të shkuar atje, qofshin ata zyrtarë shtetërorë si puna e zëvendësdrejtorit të Policisë, këto nuk do të vinin në shprehje, sikur Serbia të ndodhej nën sanksione”, tha Kurti.
Kurti tha se mungesa e sanksioneve “e ka trimëruar Serbinë”, ndërsa uroi që kjo sjellje e Beogradit “të paraqesë një etapë të re”, në të cilën “do të kuptohet që Kosova është shteti demokratik” dhe se “Serbia është praktikisht shtet mafioz”.