Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë Deklaratën për aleancë ushtarake midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Kurti ka thënë se kjo marrëveshje është e rëndësishme edhe për paqen në rajon.
“Urime të gjithëve! Hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon, përmes mbrojtjes, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të vendeve tona paqedashëse, me deklaratën trepalëshe për aleancë ushtarake të nënshkruar sot në Tiranë ndërmjet ministrit tonë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anušić”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Nënshkrimi i këtij memorandumi ka ndodhur në Tiranë. Ky dokument përfshin bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, operacione të përbashkëta ushtarake dhe trajnime të përbashkëta.