Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur mbledhjen e Qeverisë së Kosovës me lëvdata për qeverinë që ai drejton. Foli për gjithçka, për reformat, planet, për të Ditën e të Dashuruarve, por nuk e përmendi deklaratën e diplomatit O’Brien mbrëmë.
Dita e të Dashuruarve nuk është vetëm për dashurinë e njerëzve të dashur, por edhe dita e dashurisë për Kosovën.
Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të mbledhjes së qeverisë së Kosovës, me rastin e 3-vjetorit të fitores së tij në zgjedhje.
“14 shkurti është vullneti i popullit për të ndërtuar të ardhmen e tij mes popujve e shteteve të barabarta. Kosova e 14 shkurtit, sot pas tri vitesh është republikë më e fortë më e qëndrueshme dhe më e mirë për të jetuar. Në Kosovë më 14 shkurt nuk shënohet vetëm Dita e Dashurisë ndaj njerëzve të dashur, por edhe dita e dashurisë ndaj Republikës sonë. 14 shkurti është dita e dashurisë ndaj vlerave të përbashkëta”, tha ai.
Kurti u lëvdua për gjithçka, megjithatë, nuk foli aspak për dialogun.
“Mbledhja e 188-të e qeverisë përkon me datën që shënon 3-vjetorin e fitores tonë historike të zgjedhjeve në 2021. Tre-vjetorin e ndryshimit të madh politik e shoqëror. 14 shkurti është momenti i përmbysjes më të madhe politike në Kosovë. Është momenti ku ngadhënjeu drejtësia mbi korrupsionin, interesi publik mbi atë privat e personal. Dëshmuam se është e mundur të qeveriset me vullnetin e popullit, me duar të pastra. Vendi ynë ka qenë shembull i vërtetë i guximit e vendosmërisë së popullit me sfida të mëdha që erdhën e kaluan njëra pas tjetrës”, tha ai.
“Janë përpjekur ta vonojnë reformën në ekonomi e drejtësi duke i sfiduar nismat në Kushtetuese, por reformat do të bëhen e po bëhen. Zhvillimi ekonomik do të vazhdojë. Me punë të ndershme ngritëm të hyrat tatimore. Në 3 vitet e fundit ekonomia jonë ka shënuar rritje të vazhdueshme. Janë dyfishuar investimet e huaja, dhe ka pasur rritje prej 2/3 të të ardhurave nga taksat pa ndryshime të politikës fiskale. Me masat tona qeveritare kemi shpërndarë edhe rritjen ekonomike edhe rritjen e të hyrave të shtetit. Arsimin e lartë e bëmë falas. Filluam me shtesa për lehona siç kishim premtuar. Luftuam krimin e korrupsionin siç kishim premtuar. Shkatërruam bandat kriminale në vend, ligjshmëria dita-ditës po shtrihet”, deklaroi Kurti.
Kryeministri nuk e zuri në gojë as deklaratën e djeshme nga diplomati i lartë amerikan, O’Brien.
Për punën e ndalimit të dinarit, nuk ka pasur deri më tani deklaratë më të fushqishme dhe më syhapëse për qeverinë se qëndrimi i Ndihmëssekretarit amerikan i Shtetit, James O’Brien. Por kjo deklaratë nuk dihet nëse do ta shqetësojë Qeverinë e Kosovës, por ajo që dihet, sipas njohësve të zhvilimeve politike, është se kryeministri i Kosovës nuk po konsiderohet parnter i SHBA-ve.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”. – ishte përgjigja e O’Brien./Nacionale/