Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këmbëngulur që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike me Serbinë të arritur më 27 shkurt në Bruksel, teksa shtoi se Serbia ka shkelur tetë nga 11 nenet e asaj marrëveshje.
Kurti tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian.
Kryeministri ritheksoi se po këmbëngul në nënshkrim pasi po dëshiron siguri ligjore që marrëveshja të zbatohet dhe të mos shkelet.
“Më 27 shkurt, jemi dakorduar për Marrëveshjen Bazike dhe më 18 mars, për Aneksin e Zbatimit. Problemi është që nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore jo vetëm për zbatim, por edhe për mos ta shkelur. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar nënshkrim. Normalizimi duhet të jetë normal, andaj insistojmë të ketë nënshkrim. I bëj thirrje Bashkimit Evropian që gjithmonë të reagojë, edhe në shkeljet e vogla që mund të bëhen, e fatkeqësisht ato janë të shpeshta e jo të vogla”, deklaroi Kurti.