Brenda rreshtash nuk ka se si të mos lexohet si kritikë e qortim drejtuar institucionit që supozohet të jetë bartësi më i lartë i dijes dhe që për arsye të ekzistencës së vet e ka “të bërit shkencë”: Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e AShAK-ut për 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës; ku të pranishëm ishin edhe akademikë nga shteti shqiptar, lëshoi disa qortime e kërkesa në raport me vetë karakterin dhe përmbajtjen e konferencave akademike përkujtimore këto 25 vite të fundit.
Gjatë konferencës së AShAK-ut “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje – qasje multidisiplinare” mesazhi i kondenzuar i Kurtit përkthehej kështu: Duhet shkencë(rim).https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FGOVRKS%2Fvideos%2F360741899987192%2F&show_text=true&width=560&t=0
“Të dominuar nga kujtimet dhe përjetimet e luftës, të rënduar nga vuajtjet dhe nga traumat, akademitë përkujtimore dhe konferencat tona shkencore, deri tani kanë qenë më shumë përkujtimore sesa akademike, më shumë faktografike dhe më pak shkencore”, tha Albin Kurti.
“Tani që po bëhen 25 vjet nga lufta e Kosovës, kur një brez i tërë i lindur pas luftës është rritur dhe maturuar, është koha e duhur që diskutimet dhe debatet tona, hulumtimet dhe studimet tona, shkrimet dhe botimet tona, të shkojnë secilën herë e më shumë duke u bërë më akademike dhe më shkencore, më konceptuale dhe më teoritizues”.
Para akademikëve, Kurti kërkoi vetëevidenten çka bie mbi ta si detyrë parësore: shkencë, studim dhe hulumtim.
“Ngase ne si shoqëri dhe si shtet, kemi nevojë për diskurse të mirëfillta shkencore dhe për narracione sa më të plota dhe të vërteta historike për luftën tonë. Kemi nevojë për shumë studime shkencore dhe gjithashtu për botime akademike për gjithë çfarë ka ndodhur gjatë gjithë luftës në vendin tonë: për viktimat e luftës, për luftëtarët e lirisë, për dëmet e luftës (…)”
“(…) për kujtesën kolektive të luftës, për gjykimet për krime të luftës, për masakrat dhe për gjenocidin, pastaj për hyrjen e papritur të ushtarëve rusë më 11 qershor 1999 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe largimin e tyre në vitin 2003, intervenimet ushtarake humanitare dhe për mësimet prej tyre, si në histori, ashtu edhe në ushtri dhe diplomaci”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në fjalën e tij i dha një mesazh politikës – që, po ashtu brendarreshtash, mund të lexohet si drejtuar qeverisë: “Rëndësinë e aleancave politike”; kjo në dritën e çlirimit të Kosovës para 25 viteve.
“Për ne, ndërkaq, që mësuam historinë, por nuk ishim aq të sigurt nëse do ta jetonim atë, çlirimi i Kosovës nuk do të pushojë të jetë, përveçse ngjarje me vlerë sipërore, edhe një mësim i jashtëzakonshëm i historisë për aleancat politike, sepse tashmë është e qartë se Shqipërinë dhe Kosovën, me gjithë ankesat tona të hershme dhe të vona, e bëri mendimi politik oksidental dhe nuk e morëm asnjë ndihmë sado të vogël ose mbështetje nga gjysma tjetër e globit”, ka thënë, Mehmet Kraja
“Unë nuk beosj në koincidenca e as në profeci, por në mendjen e njeriut, mendjen dhe pasionin e tij. Por, këtë bindje, ma luhat një fakt i çuditshëm. Çlirimi i Kosovës ndodhi në ditën e Lidhjes së Shqiptarëve të Prizrenit. Thash, nuk i besoj koinçidencës, por një fakti shumë të ngulitur në vetëdije: se dy shekuj të kaluar bënë kombin dhe shtetet tona. Lidhja e Prizrenit bëri kombin tonë, shekulli 20 bëri dy shtetet tona, shekulli 21 ende nuk e ka thënë për ne fjalën e fundit”, tha mes tjerash kryetari i AShAK-ut.