Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka publikuar një fotografi me kryeministrin Albin Kurti, nga një arë me grurë.
“U ba buka e mot-motit!”, ka qenë përshkrimi që i ka vendosur kësaj fotografie ministri, derisa edhe maicat që kanë veshur kanë pasur shkrime të ngjashme.
Nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës kanë thënë dje se është herët që të dilet me shifra të sakta. Kryetari i Mullistëve, Bashkim Zejzullahu, është shprehur skeptik se do të sigurohet e gjithë sasia për të cilën ka kërkesë dhe nevojë vendi.
“Nuk sigurohet 100 përqind sasia prej 300 mijë tonëve për të cilën kemi kërkesë edhe nevojë Kosova. Kosova konsumon diku 300 mijë tonë në vit”, ka deklaruar Zejnullahu për Express.
Mirëpo, e ka pranuar se ky vit i ka zënë në befasi me rritjen e rendimentit.
“Herët është me u prononcu për të dhëna të sakta. Është e vërtetë që kemi një rritje të papritshme, është rritje që s’e kemi kalkulu as ne, por tash me dal me numra është shumë herët. Është pak edhe për ne, befasi na ka zanë. Nuk e kemi kalkulu këtë sasi, ta them sinqerisht. Unë mendoj se shumë është herët me u prononcu. Ne jemi në mes të sezonës së korrje-shirjeve, por nëse themi se kemi arrit me rrit kapacitetin me 10-20 përqind, ne jemi shumë të kënaqur”, ka deklaruar Zejnullahu.
Por, nëse shifrat që ka prezantuar Peci dalin të sakta, Zejnullahu thotë se vetëm duhet të përgëzohet Ministri. Ai ka sqaruar se të dhënat i merr vetëm nga mullistët, duke theksuar se jo i gjithë gruri dërgohet nëpër mullinj, meqë ka që e ruajnë edhe nëpër shtëpi.
“Nëse Ministri thotë se ne kemi prodhim këtë vit 300 mijë tonë, them atëherë që e kemi siguru. Por, duhet të jenë 300 mijë tonë”, ka thënë ai.
Ai ka lavdëruar punën që ka bërë ministri për rritjen e sasive të grurit, ku tha se po të mos bëheshin ndryshime nga ai, vendi s’do të kishte as 30 përqind furnizimin me grurë.
“Ministri Peci ka bë punë shumë të madhe për rritjen e sasive të grupit. Po të mos ishin ndryshimet që i ka bërë Ministri Peci, sot nuk do t’i kishim as gjysmën e sasive që i kemi. Rritja e subvencioneve, afrimin e kushteve më të mira për punë, nuk kishte me ndodhë që ne me I prodhu as 150 mijë tonë. E përgëzoj Ministrinë për punën që ka bërë për fermerin , përndryshe sot Kosova nuk do të kishte as 30 përqind furnizim me grurë”, ka thënë Zejnullahu.