Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka deklaruar se raportimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me dyer të mbyllura është bërë për shkak të shpalosjes së dokumenteve konfidenciale që lidhen me procesin e dialogut.
Ajo tha se deputetët kanë marrë informacione, të cilat sipas saj kanë qenë të nevojshme sidomos për deputetët e opozitës, të cilët i ka abuzuar për deklarime të pavërteta për procesin e dialogut.
“Vetë fakti që kemi vendosur ta mbajmë një takim të mbyllur është se zëvendëskryeministri na ka paralajmëruar se do të ndajë me ne disa dokumente të cilat janë konfidenciale dhe nuk preferohet të ndahen me opinionin për shkak se procesi është shumë fraxhil në fazën që është”, tha Kryeziu-Hyseni, në një deklarim për media pas përfundimit të mbledhjes.
Kryeziu-Hyseni tha se në këtë mbledhje është biseduar edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë dhe për mbarëvajtjen e dialogut.
“Fokusi ynë ka qenë te çështja e Banjskës dhe kemi folur shumë edhe për atë se çfarë pritet të ndodhë në procesin e dialogut tash e tutje, kemi marrë informacione që besoj se kanë qenë shumë të nevojshme të ndahen në veçanti për deputetët e opozitës të cilët herë pas here i shohim që nxjerrin në opinionin publik informacione që janë krejtësisht të pavërteta”, ka theksuar ajo, raporton EO
Ky raportim, sipas saj, “ka ndihmuar që të paktën këtë të mos e bëjnë tash e tutje”.
Kryeziu – Hyseni ka thënë se për të pasur lëvizje në procesin e dialogut, duhet të ketë lëvizje nga ana e Serbisë, transmeton Klankosova.tv.
“Në këtë mes duhet të ketë lëvizje edhe nga ana e Bashkimit Evropian në kuptimin e trajtimit të barabartë të palëve”, ka deklaruar ajo.