Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë të premten se vendi i tij është shtyllë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe çdo akuzë ndaj Beogradit, siç thotë ai, duhet të hidhet poshtë si “lajm i rremë veçanërisht kur vijnë nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës”.
Vuçeviq i reagoi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili publikoi kolumnë në “New York Times” e ku shkruante se “një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë”. Kurti ka thënë se hapja e një fronti të ri në Ballkan do t’i mundësonte Serbisë që të përpiqet “të pushtojë territorin me agresion”.
Në përgjigje, Vuçeviq ka thënë se Prishtina me ideologjinë shoviniste dhe lëvizjet e njëanshme të drejtuara “kundër popullatës serbe dhe të tjera joshqiptare, çdo ditë konfirmon se ata vetë janë kërcënimi i vetëm për paqen rajonale”.
“Kolumna e Kurtit në ‘New York Times’ është katalog gënjeshtrash dhe përpjekje për të gjetur një alibi për trajtimin anticivilizues dhe çnjerëzor të serbëve në Kosovë, dhe nga vetë autori i tekstit”, ka thënë Vuçeviq.
Kryeministri serb ka deklaruar se lavdërimi i NATO-s si shpëtimtar të shqiptarëve, të cilën e ka shkruar Kurti në kolumnë, nuk ka të bëjë fare me situatën aktuale në terren”.
Siç pretendon ai, Serbia është e njohur botërisht si vend i suksesshëm dhe i avancuar, “si dhe motori i zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, prandaj narrativat propagandistike patetike dhe arkaike të Kurtit nuk mund të kenë efektin që mund të kishin pasur dy dekada e gjysmë më parë”.
Sipas Vuçeviqit, përkushtimi për paqe dhe stabilitet dëshmohet me sjelljen demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe “konstruktivitetin në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së dhe Kurti dështon në të gjitha këto fusha, duke dëshmuar se është shkaktar i telasheve, dhe jo dikush që kujdeset për paqen dhe stabilitetin”.
“Kolumna në ‘New York Times’ është dëshmi se ai nuk i është larguar shumë ekstremistit marksist-enverist që përmbyste kamionë me mallra serbe, digjte biskota dhe çokollata të prodhuara në Serbi, si dhe vepronte dhunshëm edhe ndaj disidentëve politikë të kombësisë shqiptare duke futur praktikën e përdorimit të gazit lotsjellës në vend të argumenteve”, u shpreh kryeministri i Serbisë.