Parlamenti Evropian të martën ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë. Ky vendim ka nxitur reagime në Kosovës të cilët po e shohin si një precedent të rrezikshëm. Edhe Qeveria e Kosovës në vazhdimësi është shprehur kundër kësaj lëvizje.
Parlamenti Evropian (PE) ka mirtatuar me 406 vota për, 97 kundër dhe 94 abstenime vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët serbë të veriut të Kosovës të cilët bartin pasaporta të Serbisë.
Ky vendim vjen pasi bartësit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave për Kosovën e as për Serbinë.
Megjithatë, ky vendim është cilësuar i rrezikshëm dhe i paarsyshëm nga ana e njohësve të çështjeve politike.
Ish-ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku, ka thënë se vendimi është i panevojshëm, i paarsyeshëm dhe cenon sovranitetin e Kosovës.
“Është një vendim krejtësisht i panevojshëm, i paarsyeshëm dhe mbi të gjitha që cenon në mënyrë të drejtpërdrejt në një formë dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës, sepse dihet, poseduesit e pasaportës janë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe vetëm organet kompetente të përcaktuara me kushtetutë dhe me ligje nga ana e Republikës së Kosovës kanë të drejt të pajisen me pasaporta përkatëse për udhëtim.” – ka thënë ai në Klan Kosova.
Edhe analisti Imer Mushkolaj ka reaguar ndaj këtij vendimi, duke thënë se është skandaloz dhe precedent i rrezikshëm.
Ai ka thënë se është i pavërtet konstatimi se serbët që posedojnë këto pasaporta janë të diskriminuar.
“Skandaloz dhe precedent i rrezikshëm vendimi i Parlamenti Europian për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë, të cilët jetojnë në Kosovë. Nëpërmjet këtyre pasaportave, Beogradi e konsideron Kosovën pjesë të veten. I pavërtetë konstatimi se serbët që posedojnë këto pasaporta e paskan të pamundur të udhëtojnë lirshëm në Zonën Schengen dhe qenkan të diskriminuar. Ata lehtë mund të pajisen me pasaporta të Kosovës.” – ka shkruar Mushkolaj në Facebook.
Nga ana tjetër Qeveria e Kosovës, që nga fillimi i procesit për liberalizimi e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë për serbët që jetojnë në Kosovës, ka qenë kundër.
Qeveria e Kosovës ka thënë se qytetarët serbë nuk janë të izoluar dhe se pasaportat ilegale të lëshuara nga Serbia, shkelin sovranitetin e vendit.
“Ritheksojmë se pasaportat ilegale të lëshuara nga Serbia shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk mund të njihen apo të jenë dokument i vlefshëm udhëtimi.” – kishin thënë nga Qeveria.
“Ky qëndrim rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, kur vetëm para më shumë se një viti, një tentativë e njëjtë për njohjen e dokumenteve ruse të udhëtimit të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji, u dënua dhe nuk u pranua nga vetë institucionet e BE-së.” – thuhej tutje.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës, kishte thënë se ky proces ka ndikim negativ në integrimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë.
“Shtyrja para e këtij propozimi, ka impakt negativ në integrimin e komunitetit serb në Kosovë, por edhe në procesin e dialogut. Që prej momentit kur është inicuar ky propozim nga Komisioni Evropian, i kemi informuar vazhdimisht të gjitha institucionet e BE-së për pasojat dhe efektet negative të një vendimi të tillë.” – thuhet ndër të tjera.