Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka dënuar vrasje e sotme në Pejë, ku burri e ka vrarë gruan e tij.
I pari i PDK-së ka thënë se ky është alarmi që duhet të zgjojë secilin person që ka sado pak përgjegjësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai iu ka bërë thirrje institucioneve që urgjentisht të krijojnë një task-forcë me kompetenca të plota për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe vrasjet.
“Dy gra të vrara në tri ditë nga partnerët e tyre – të cilët kanë qenë edhe më parë të denoncuar në polici për çështje të dhunës në familje. Ky është alarmi që duhet të zgjojë secilin person që ka sado pak përgjegjësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve – e institucionet shtetërore kanë më së shumti. Çfarëdo që është duke bërë aktualisht Qeveria e Kosovës, nuk është më e rëndësishme sesa siguria e grave në Kosovë. Prandaj, ju bëjë thirrje që urgjentisht të krijojnë një task-forcë me kompetenca të plota për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe vrasjet’, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se nuk duhet të lejohet që Kosova të shndërrohet në një vend ku jeta e grave është në rrezik.
“Duhet vepruar pa justifikime dhe pa përjashtime. Pa pardon për recidivistët. Me ndëshkueshmëri maksimale për dhunuesit dhe vrasësit e grave. Duhet garantuar mbrojtje, mbështetje dhe siguri për gratë. Mos lejoni që Kosova të shndërrohet në një vend ku jeta e grave nuk vlen aspak. Lëvizni, ju lutem, sepse nuk është momenti për fjalë!”, ka shkruar Krasniqi.