Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përballur me kritika të ashpra nga aleatët e Kosovës në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Pavarësisht pretendimeve të tij se vendimi për ndalimin e dinarit në Kosovë ka qenë i drejt, ambasadorët e vendeve perëndimore në Këshill të Sigurimit nuk janë pajtuar me veprimin e institucioneve të Kosovës.
Ata kanë vlerësuar se vendimi për këtë çështje është marrë pa përgatitje të duhura.
Ambasadorja e SHBA-së në KS të OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë shprehur brengat me planin e Kosovës për të zbatuar rregulloren e BQK-së.
Ajo i ka bërë thirrje Kosovës që të pezullon këtë rregullore.
“ShBA ka shprehur brengat e saj me planin e Kosovës për të zbatuar rregulloren e amandamentuar për transaksionet e pagesave. Ky vendim u mor pa përgatitje të duhura, pa konsultime me popullatën lokale. Pra, edhe njëherë thirrim që ky zbatim të pezullohet menjëherë deri procedurat e kënaqshme të jenë në vend, dhe popullata e afektuar të jetë mjaftueshëm e edukuar dhe informuar.” , është shprehur ajo.
Ajo ka thënë se zgjidhja e kësaj çështje duhet të ndodh përmes dialogut.
“Ne po ashtu jemi shumë të shqetësuar me veprimet e fundit të pakoordinuara që Qeveria e Kosovës ka marrë, përfshirë operacionet e pakoordinuara në zyrat e mbështetura nga Serbia në komuna të Kosovën perëndimore dhe një OJQ për paqe dhe tolerancë në Prishtinë. Këto veprime nuk përputhen me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes dialogut të BE-së për të adresuar çështjet e serbëve dhe minojnë rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe njëherë po e them Këshilli i Sigurimti s’është vendi për të zgjidhur këto çështje. Ne ritheksojmë që të dyjat të angaszhohen në dialog.”, ka thënë diplomatja amerikane.
Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB.
“Kosova duhet t’i ushtrojë kompetencat e saj sovrane në një mënyrë që është në përputhje me vizionin e një demokracie multientike, e rrënjosur në zemër të Kushtetutës së Kosovës. Përmes veprimeve të fundit të saj, Banka Qendrore e Kosovës ka synuar që ta përmbushë përgjegjësinë e vet për ta rregulluar operimin e valutave të huaja, por zbatimi i këtyre masave nga Qeveria e Kosovës deri më tani ka shfaqur konsideratë të pamjaftueshme për ndikimin ndaj komuniteteve pakicë të Kosovës.”, ka thënë ai.
As ambasadori i Francës në KS të OKB-së nuk është pajtuar me veprimet e fundit të institucioneve të Kosovës.
Ai është shprehur i shqetësuar duke thënë se këto veprime mund të sjellin pasoja.
“Këto veprime do të kenë pasoja negative në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, sidomos rreth qasjes në shërbime sociale. Franca e përsërit thirrjen e saj për pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi nga Banka Qendrore e Kosovës në mënyrë që të lejohet një periudhë e mjaftueshme tranzicioni. Deklarata e djeshme e kryeminsitrit Kurti, i cili pranoi nevojën për një periudhë tranzicioni, është një hap fillestar pozitiv, që duhet të pasqyrohet në vepër tani”, ka thënë ai.
Rreth veprimeve për ndalimin e dinarit serb, Kosova është kritikuar është nga përfaqësuesit e shteteve që e kanë njohur si Zvicra, Japonia dhe Sllovenia.
Ndërsa, kritika më të ashpra Kosova ka marrë nga dy anëtaret përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina, të cilët nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Kritikat e aleatëve ndaj Kosovës kanë nxitur reagime të shumta edhe në vend.
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka bërë me dije se në mbledhjen e mbrëmshme të këshillit të Sigurimit të OKB-së Kosova ka marrë disa shuplaka diplomatike.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se kryeministri Kurti po mendon për vota e jo për interesa shtetërore.
“Qeveria e cila çdo veprim, përfshirë atë shtetëror dhe diplomatik, e ka të ndërtuar mbi përfitimin politik dhe fuqizimin e radhëve të partizanëve, është mëse e dëmshme për interesin kombëtar. Kosova sot po merr disa shuplaka diplomatike nga partnerët e saj ndërkombëtarë dhe shtetet demokratike, në Këshillin e Sigurimit”, ka shkruar ai.