Kryeparlamentari Glauk Konjufca, thotë se përplasja në mes të Qeverisë dhe Presidencës rreth anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ‘ishte e paqëllimshme’.
Faktin që ministrja e jashtme Donika Gërvalla nuk e informoi Presidenten për letrën që dërgoi në KiE në minutat e fundit (megjithëse iu kthye prapa), Konjufca e arsyeton me qëndrimin jashtë vendit të Presidentes Osmani.
“Çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Jashtme, e kjo mua kam hamendësua që ka mundur me ndodh për shkak të vizitës që ajo e kishte në ShBA e për shkak të largësisë me siguri. Jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minutë, në ditën e votimit të Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës mund të ndahet dhe koordinohet, pra unë nuk shoh mosvullnet nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që të bëj diçka te qëllimshme kundër Presidentes. Ka qenë thjeshtë teknikisht një largësi e madhe gjë që ka pamundësi që ndryshimet çdo minutë që i ka bërë Qeveria e Kosovës, të arrijnë të krijojnë atmosferën që Kosova të hynte në agjendë, nuk ka mundur t’i ndaj të gjitha me Presidencën, dhe Presidenca e ka pas reagimin e saj. E keni parë e ky reagim vjen me siguri si pasojë e asaj që ata kane menduar që çdo hollësi do duhej të ishte ndarë”, theksoi Konjufca.
Konjufca i reagoi edhe shefit për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell rreth aksionit në veri.
I rekomandon që të shkruajë raport ‘ku thotë se këto institucione ishin banka të paligjshme të Serbisë në Kosovë’.
“Do të ishte mirë që kur zotëri Borell ta shkruaj raportin të thotë që këto institucione ishin banka të paligjshme të Serbisë në Kosovë, është mirë me ia dhënë definicionin, çka janë ato. Ato ishin banka të Serbisë në Republikën e Kosovës, si të tilla nuk mendoj se janë të lejueshme dhe duhet të trajtohen si e thotë ligji, ligji thotë që ato duhet mbyllur’, theksoi kreu i Kuvendit.
Ai foli edhe për kritikat që bëri shefi i EULEX-it lidhur me mos kalimin e raportit vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2022.
“Kjo ka ndodh për shkak se mazhoranca konstatoi që raporti ishte i paplotë, deputet kishin secili vërejtjet e tyre në përgjithësi një numër i madh i deputetëve nga ana e mazhorancës herë pas here e kanë kritikuar institucionin e avokatit të popullit. Unë dua të rezervohem nga ajo, nga mendimet e mia për avokatin e popullit sepse këtë deklaratë po e jap në cilësinë e kryetarit të parlamentit. Zyra e avokatit është e ndarë prej institucioneve tjera, është zyrë e pavarur e cila do duhej ta kryente punën e vet, por në anën tjetër edhe gjithçka që kemi, mendoj që duhet të dëgjohet më mirë prej avokatit të popullit edhe kur ne japim kritika si deputet po prej institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.