Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka shprehur sërish gatishmërinë e subjektit politik prej nga vjen, Lëvizjes Vetëvendosje për mbajtjen para kohe të zgjedhjeve parlamentare, raporton Gazeta Express.
Konjufca tha pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit se aty nuk u diskutua kjo çështje. Ai tha se vetë është “moti për zgjedhje”, duke e konsideruar atë si opsionin më të mirë.
“Nuk pati asgjë nga këto kërkesa, por nuk e përjashtoj që në të ardhmen ndonjë grup parlamentar mund të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve”, tha Konjufca.
“Ju e dini që unë moti jam për zgjedhje. Kam thënë që opsioni më i mirë është që të shkohet në zgjedhje, por tash, të gjithë po thonë që është sivjet. Ky vit i ka edhe disa muaj. Unë nuk mund t’ju them se cila është koha më e mirë për të shkuar në zgjedhje, por ju e keni dëgjuar edhe kryeministrin që ka thënë se do të ishte në mbështetje të një iniciative të opozitës sa i përket shkuarjes në zgjedhje”, shtoi ai në një deklarim para mediave.
Konjufca tha se “vetëm duhet të ulemi me partitë politike dhe ta specifikojmë se cila është koha më e përshtatshme, a është vera, a është vjeshta”.
Kryeministri Albin Kurti tha së fundmi se nuk e ka mendjen te zgjedhjet, por se nuk e ka problem që ato të mbahen para kohe.
Partitë e kanë shtuar angazhimin, diskursi edhe i qeveritarëve është bërë më elektoral këtë vit që mund të jetë viti i zgjedhjeve të reja.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së fundmi ka mbajtur një takim me kryetarët e degëve të partisë. Diskutimi kryesor, siç njoftoi vetë, ishte organizimi për zgjedhjet nacionale. Madje, ai tha se në këtë takim i patë edhe “diskutimet finale” për listën e kandidatëve për deputetë me të cilën do të garojë partia më e vjetër në vend.
Mobilizimin dhe përgatitjet për zgjedhje i kanë nisur edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni AAK-Nisma.
Qeveria e ka shpenzuar shumicën e mandatit dhe ndërsa ka mbetur pak kohë për përmbushjen e premtimeve, kryeministri Albin Kurti aq më shumë po flet se si shteti u pasurua dhe u zhvillua me të në krye. Partitë opozitare argumentojnë për të kundërtën dhe shprehen të gatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kurti është i vetëdijshëm se koha për t’i përmbushur zotimet po pakohet, ashtu siç ai vetë iu pati thënë ministrave në fund të vitit të kaluar, në një mbledhje të Qeverisë.
Të tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, që nuk janë në bllok, kanë qëndrime të ndryshme nga njëra-tjetra se si duhet kundërshtuar Qeveria e udhëhequr prej Albin Kurtit, por të triat shprehen të gatshme për zgjedhje.
Partitë po bëjnë sondazhe për të kuptuar pozicionin e tyre ndërsa Qeveria Kurti 2 po shkon drejt fundit të mandatit.