Sulmi në Banjskë dhe ai në Ibër Lepenc, janë dy raste të ndara, citohet të ketë thënë komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani në një intervistë për “Kossev”. Ai ka shtuar se nevojiten hetime të pavarura për të përcaktuar faktet dhe përgjegjësinë.
KFOR-i nuk ka asnjë rol në hetimin e rastit të fundit, duke pasur parasysh se zbatimi i ligjit nuk është brenda mandatit të tij, ka thënë ai.
Në këtë intervistë, komandant Barduani ka konfirmuar se secila prezencë e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri kërkon fillimisht aprovimin e KFOR-it.
Në bazë të vlerësimit të sigurisë nga KFOR-it pas sulmit në kanal në fund të nëntorit të kaluar, komandanti i këtyre forcave nuk ka dhënë një miratim të tillë. Paraprakisht, në rastin e Banjskës, ai ka konfirmuar se as nuk ka marrë kërkesë të tillë.
Mes tjerash, ai ka thënë se KFOR do të vazhdoj ëta mbajë prezencën e përhershme në urën e Ibrit dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.
Situata në Kosovë është e qetë, por sensitive me ekspozim të vazhdueshëm ndaj eskalimit potencial, ka thënë Barduani:
“Incidentet e izoluara mund të ndodhin ende. Parandalimi komplet i këtyre incidenteve është kompleks, pasi që shpesh përfshijnë elemente kriminale dhe terroriste, që operojnë në mënyrë të fshehtë dhe të paparashikueshme”.
Por, siç ka shtuar komandanti, KFOR vazhdon të monitorojë situatën në veriun e Kosovës, duke siguruar një mjedis stabil e të sigurtë.
“Përkrahja e institucioneve vendore dhe ruajtja e paanshmërisë, duke qenë plotësisht të përgatitur për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të sigurisë” – ka shtuar ai.