Një grua mbeti sot e vrarë nga bashkëshorti i saj në Pejë, rasti i dytë i vrasjes së grave brenda katër ditëve. Tashmë kanë nisur reagimet në lidhje me këtë, derisa është ftuar edhe një takim nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Një prej personave të parë që reagoi në lidhje me rastin, gazetari Adriatik Kelmendi, ka kërkuar krijimin e një task force që të merret me ata që bëjnë thirrje për vrasje dhe krime ndaj gruas me komente në rrjete sociale.
“Dy gra të vrara nga bashjëshortët e tyre brenda vetëm katër ditësh në Kosovë. Dy grave iu është marrë jeta nga monstrumët me të cilët kanë ndarë jetën. Urgjentisht, policia duhet ta formojë një task forcë speciale që do të marrë masa ndaj të gjithë ata që thirrin për vrasje dhe krime ndaj gruas me komente në internet, si njëra nga masat. Kjo ka shkuar shumë larg. Legjitimimi i gjuhës së urrejtjes dhe thirrjes për krim është krim! Ka kaluar çdo kufi.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se ka ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit dhe Drejtorin e Policisë së Kosovë.
“Për këtë gjë sot kam ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu në një takim tjerër edhe mbledhjen e grupit ndërministror.” – ka thënë ajo.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku gjendjen e quajti “alarmante”.
“Edhe një grua u vra sot në Pejë. Nga bashkëshorti. Situata është alramante. Spo mundem me gjetë as fjalë.” – ka shkruar Çitaku në Facebook.
Juristja e medias, Flutura Kusari në lidhje me rastin tha këto fjalë:
“Edhe nje grua e vrare. Me tu kpute shpirti”.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se femicidi ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe duhet të ndalet me çdo kusht.
“Fatkeqësisht sot jemi zgjuar të gjithë në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të e një gruaje nga bashkëshorti saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në çoftë se ri zgjohemi të gjithë si shoqëri, si shet e si komb. Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash e grashë për të humbur. Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi baza gjinore i cili siç e përmenda po e njollosë shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda. E kemi detyrë që ta luftojmë këtë fenomen dhe ti mbrojmë vajzat e gratë dhe qytetarët.” – u shpreh presidentja Osmani.
Ndërkohë, fjalimin e tij në forumin ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet në Prishtinë, kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka nisur me disa fjalë për këtë rast.
“Sot u zgjuam me një lajm të trishtueshëm. Vrasja edhe e një gruaje tjetër në qytetin e Pejës pas asaj që ndodhi këtë javë edhe në qytetin e Ferizajt ku një grua u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Ajo që duhet të ndodhë dhe që është urgjente është konsolidimi i mekanizmave tonë të sigurisë dhe gjyqësisë para së gjithash që rastet e tilla më të mos ndodhin, meqenëse shumica e rasteve që po ndodhin në Kosovë kundër grave dhe vajzave e dhuna e tmerrshme e ushtruar ndaj tyre është kryesisht prej personave të cilët edhe më herët kanë pasë raste penale, raste të shkeljeve të rënda.” – ka thënë Konjufca.