Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati në lidhje me kërkesën për shtyrjen e afatit për regjistrim të popullsisë ka thënë se nuk vendosin ata, por Qeveria e Kosovës.
E për këtë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në një përgjigje për teve1.info ka thënë se beson që gjatë ditës do ta kenë një përgjigje.
“Do ta shoh gjatë ditës, besojë që do ta kemi një përgjigje”, ka thënë Kryeziu.
ADVERTISING
Ndryshe, sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që ka nisur më 5 prill dhe qytetarë të shumtë janë ankuar se ende nuk janë regjistruar – duke kërkuar kështu shtyrje të afatit për regjistrim.
Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.
Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2 mijë euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Këtu nuk përfshihen informacionet mbi përkatësinë etnike dhe fetare, të cilat nuk janë të detyrueshme.
Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar të zhvillohej në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.