Zëvendëspresidentja, Kamala Harris, është alternativa kryesore për ta zëvendësuar presidentin amerikan, Joe Biden, po qe e ai vendos të tërhiqet nga gara për rizgjedhje, raportoi agjencia Reuters, duke u mbështetur në shtatë burime të larta përbrenda kampit demokrat.
Shqetësimet rreth perferomancës së Bidenit në zgjedhje janë rritur mes demokratëve, pasi ai pati paraqitje të pakënaqshme në debatin e parë me rivalin republikan, Donald Trump, javën e shkuar.
Për këtë paraqitje, Bideni të martën, gjatë një tubimi elektoral në Virgjinia, i fajësoi aeroplanin dhe udhëtimet që i pati.
“Nuk e dëgjova stafin tim… dhe më pas gati sa më zuri gjumi në skenë. Ky nuk është justifikim, por shpjegim”, ka deklaruar Bideni.
Mendim se Bideni duhet t’i japë fund garës presidenciale, pas debatit të 27 qershorit, ka shprehur çdo i treti demokrat i anketuar nga kompania e kërkimeve,“Ipsos”.
Sondazhi dyditor, që u mbyll të martën, zbuloi se Trumpi 78 vjeç dhe Biden 81 vjeç, kanë mbështetjen të barabartë në mes të votuesve të regjistruar, me 40 për qind të përkrahjes së tyre.
Por nga mesi i kandidatëve potencialë demokratë, veç Michelle Obama, bashkëshortja e ish-presidentit Barack Obama, ka performuar më mirë në përballen hipotetike me Trumpin në zgjedhje, tregoi sondazhi.
E Kamala Harrisi ka marrë 42 për qind të mbështetjes kundrejt Trumpit, që mori 43 për qind në ballafaqimin hipotetik të sondazhit.
Me gjithë kritikën për paraqitjen në debat, presidenti Biden ka dhënë sinjale se nuk e ka ndërmend që të tërhiqet nga përballja zgjedhore me Trumpin më 5 nëntor.