Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë fjalët e të dyshuarve në gjykatë. Shabani ka thënë se s’ka punuar kurrë kundër shtetit të kosovës dhe se ka dhënë kontribut për UÇK’në dhe Doganën.
Madje, ai ka shkuar larg duke pretenduar se bizneset të cilat ai i ka gjobitur gjatë pozitës si zyrtar doganor po bashkëpunojnë me prokurorinë në mënyrë që ta shohin Shabanin në burg.
“Është hera e parë që prej natës së djeshme që unë e përjetoj burgun në jetën time, unë jam prind i gjashtë fëmijëve, garantoj me jetë dhe me nder kurrë kundër shtetit tim nuk kam punuar e as nuk punoj, gjithmonë në jetën time kam dhanë kontributin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në Doganë, derisa unë kam punuar, kam punuar me ndërgjegje, ndërsa e shoh se bizneset të cilat unë i kam ndëshkuar sa kam qenë në Doganë sot paskan aq ndikim që të ndëshkohem unë”, ka deklaruar Shabani.
“Kërkoj nga gjykata dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të më hetojë deri në fund dhe të mos më njollos mua dhe familjen time, unë si prind të gjithë djemtë që të gjashtë punojnë në Kosovë, kështu që kurrë në jetën time nuk iki nga vendi im që kam kontribuar e jam duke kontribuar dhe të gjitha këto janë pa baza e shpifje dhe kërkoj nga gjykata dhe prokuroria që të më lirojnë dhe të mos ma njollosin familjen”.
Në anën tjetër, i dyshuari tjetër për spiunazh, Muharrem Qerimi, ka pretenduar se iu është rrezikuar familja nga arrestimi.
“Dëmi që është bërë që nga dje, neve na ka shkaktuar pasoja. Çfarë vendimi merr gjykata nuk ka lidhje, unë nuk kam të bëjë asgjë. Që të gjitha i kam thënë në policisë, na kanë rrezikuar familjen, fëmijët, vëllezërit e të gjithë. Unë premtoj që në çfarëdo rrethanash, unë jam këtu”, ka deklaruar Qerimi para gjykatës.
Mbrojtësi i Qerimit, Ridvan Kajtazi, ka thënë se përgjatë intervistimit nga policia, Qerimi është pyetur për një person me emrin Slavisha Stankoviq, me nofkën “Paqe”, të cilën e ka konsideruar të jashtëligjshme.
Avokati tutje ka thënë se Qerimi ka punuar hetues në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës dhe është marrë me krimin e organizuar në fushën e narkotikëve deri më 2008-ën dhe që nga atëherë ka qenë jashtë institucioneve të sigurisë.
“I mbrojturi im deri në vitin 2008, ka punuar si punonjës i Policisë së Kosovës, ka qenë hetues në rajonin e Ferizajt, e po ashtu hetues né Drejtorinë Kundér Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës, ku kryesisht është marrë me çështjen e luftimit të krimit të organizuar në fushën e narkotikëve dhe që nga viti 2008 e deri në ditën e sotme i njëjti ka qenë jashtë çdo institucioni të sigurisë”, ka shtuar mbrojtja e Qerimit.
Avokati Kajtazi ka thënë se klienti i tij është i gatshëm të ofroj dorëzani në shumën deri në 30 mijë euro, derisa i ka kërkuar gjykatës ta shqyrtojë masën e dorëzanisë të kombinuar me atë të arrestit shtëpiak.
Dosja e Prokurorisë për Shabanin dhe Qerimin
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë dosjen e Prokurorisë, në të cilën tregohet se dy të pandehurit në vazhdimësi kanë ndryshuar numrat e telefonit dhe pajisjet telefonike sa herë që kanë telefonuar persona që dyshohet të kenë qenë zyrtarë të BIA’s.
“Të pandehurit, posaçërisht i pandehuri Bëdri Shabani, dyshohet së gjatë kryerjes së veprës penale gjatë gjithë kohës ka ndryshuar numrat ë telefonit dhe pajisjet telefonike, ku i ka njoftuar edhe bashkëbiseduesit e tij se po i ndërron numrat e telefonit dhe po i asgjëson ata më qëllimin e vetëm për t’i ikur hetimit, ku nga kjo shihet qartë së ekziston një rrezik potencial që i njëjti ta përsërisë veprën penale. Po ashtu edhe i akuzuari Muharrem Qerimi të cilët dyshohen se kanë të njëjtat kontakte të komunikimit më agjencinë “BIA””, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Kjo është përmendur si rrethanë për mbajtjen e të dyshuarve në paraburgim, teksa gjykata thotë se ndërlidhësi i ‘BIA’-s nuk ka arritur të arrestohet dhe të dyshuarit mund të vazhdojnë kontaktet me ta.
Në dosjen e Prokurorisë tutje shtohet se komunikimi me zyrtarin e ‘BIA’-s, ku konfirmohen edhe përgjimet e publikuara në media disa ditë më parë për një bisedë të Shabanit se si “gjërat po shkojnë ngadalë” dhe se s’po vepron si duhet.
“…ku në një rast të komunikimit, ky i dyshuar i thotë këtij zyrtari të “BIA” se shumë ngadalë po shkojnë gjërat dhe se nuk po veprojnë ashtu si duhet “BIA” teksa ky ua ka dërguar informatat sa kohë”.
Dosja e Prokurorisë tutje konfirmon se Shabani kishte udhëtuar më herëtpër në Serbi për ta takuar zyrtarin e “BIA”-s.
Në anën tjetër, për Muharrem Qerimin thuhet se gjatë vëzhgimit ka kontaktuar persona që dyshohet t’i ketë shfrytëzuar për sigurimin e informacioneve të caktuara për shpiunazh.
Prokuroria thotë se Qerimi dhe Shabani kanë pasur udhëtime të shpeshta në Serbi, Sarajevë dhe Maqedoni, vizita këto për të cilat dyshon se janë shfrytëzuar me qëllim të shpiunazhit.
Gjykata Themelore thotë se provat dëshmojnë se përveç komunikimit, dy të dyshuarit iu ofronin zyrtarëve të shërbimit të ‘BIA”-s edhe materiale e dokumente “me qëllim të ofrimit të informacioneve e organizimit të veprimeve kundër sigurisë së shtetit”.
“Këto masa kanë sjellë deri tek provat të cilat dëshmojnë dyshimin e komunikimit të të pandehurve me zyrtarë të shërbimit të “BIA”, ku përpos komunikimit iu kanë ofruar edhe materiale e dokumente me qëllim të ofrimit të informacioneve e organizimit te veprimeve kundër sigurisë së shtetit“.
Insajderi raportoi se vesh se Bedri Shabani ka qenë nën masën e përgjimit dhe vëzhgimit që nga tetori 2023 ndërsa zgjerimi hetimeve ku është përfshire Muharrem Qerimi ka ndodhur dy muaj më vonë.
Ndaj Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit, të dyshuar për spiunazh, iu është caktuar masa paraburgimit.
Shabani më herët ka qenë ish-zyrtar në Doganën e Kosovës. Nga ky institucion kanë bërë të ditur se e kanë suspenduar atë për shkak të veprimeve të dyshimta të tij. /Insajderi.org/