Opsioni i ndarjes së Kosovës, “është një pazar jo i pastër dhe po them me përgjegjësi të plotë, kjo ndarje do të hapi radhën e një konflikti të ri të pambarueshëm në Ballkan. Do të hapi vatra sherresh, grindjesh të cilat do t’u kushtojnë jashtëzakonisht shtrenjtë popujve këtu dhe Evropës. Prandaj kjo nuk e zgjidhë, kjo nuk e mbyll, kjo hap një konflikt të ri të tmerrshëm”, kishte thënë shkrimtari Ismail Kadare, në intervistë për Radion Evropa Lirë më 2007.
Suela Musta
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kadare, bisedimet për statusin e Kosovës kanë hyrë në një fazë shtesë prej 120 ditësh. Çfarë rezultatesh mund të priten, sipas jush?
ISMAIL KADARE
Këtyre 120 ditëve nuk u japë ndonjë rëndësi. 120 ditë nuk janë ndonjë gjë kur flitet për gjëra të mëdha për një popull. Në këtë rast kemi të bëjmë me lirinë e tij. Problemi është çfarë thelbi kanë këto 120 ditë. Përse? Këtu krijohet një problem, në fakt jo fort i qartë, për askend më duket nuk është i qartë. Problemi është këtu. Këtu është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme e thellë dhe e pa diskutueshme. Bëhet fjalë për lirinë e një populli ose për robërinë e tij. Të tjerat janë, nëqoftëse do t’u jepet rëndësi të tjerave, në krahasim me këtë, janë profka si të thuash. Kjo është thelbi dhe ky thelb nuk duhet harruar asnjëherë. Është një popull i tërë që kërkon gjënë më të vjetër që ka kërkuar njerëzimi, që është bazë e qytetërimit, që është liria e tij. Prandaj më habit disa herë çoroditja, qoftë e opinionit qoftë e medias qoftë e diplomatëve, qoftë e qeverive, për një gjë që s’duhet të kishte dilemë. Në të vërtetë për këtë nuk ka pasur dilemë përpara, do të thotë kur Evropa hyri në konfliktin e Ballkanit, ajo pikërisht këtë e pati të qartë, të marri këtë guxim të madh, të bombardoj një shtet që quhet sovran, Serbinë, Jugosllavinë. Pra, ajo e pa që lirira e një populli u cenua në mënyrën më barbare që mund të mendohet. Tashti ka një farë pendimi për këtë gjë, njëfarë kthimi pas, njëfarë rishikimi, revizionimi të kësaj. Për mua kjo më duket jo që nuk është e padrejtë, kjo është fjalë e dobët shumë, por pak a shumë atë njollë të bardhë që i vuri Evropës, atë nder që bëri, po kthehet tashti në të kundërtën e vet, në të kundërtën e saj. Ky pendim është njëherësh absurd i pakuptueshëm. Pendim pse u bombardua një shtet, Jugosllavia. Thuhet ose s’thuhet hapur ndihet ky pendim. Në Ballkan ndodhi një gjë që ka qenë shumë e qartë, ndodhi një nga krimet më monstruoze në historinë e Evropës, në gjithë Ballkanin, në gjithë Evropën. Pra, një popull u shpërngul, gjysma e tij, një milion banorë. U bë spastrim etnik, i cili nuk po e krahasojmë me spastrimin etnik të hebrenjëve, por për intensitetin për kohën që u bë, rivalizon me të. Është shumë i tmerrshëm, sepse u bë për disa javë dhe ky krim nuk krahasohet me bombardimin që iu bë një regjimi barbar, që e kreu këtë krim. Në botë, e kamë thënë shumëherë, nuk ka masakër të domosdoshëm dhe të nevojshëm por ka bombardim rrallë herë të nevojshëm, siç u bombardua Gjermania Naziste. Evropa nuk duhet të ngatërrohet në këtë gjë. Nuk duhet të ketë pendim. Nuk duhet të ketë kthim prapa. Ajo duhet ta detyroj përkundrazi Serbinë që të kërkoj ndjesë për këtë, të kërkoj falje. Jo, është kthyer e kundërta. Serbia po përkëdhelet dhe duke e përkëdhelur Evropa po i bën dëmin më të madh Serbisë, popullit serb. E zhytë më thellë në fajin e tij. Ky popull duhet të kuptoj ç’kanë bërë ushtarët e vet, paramilitarët e vet, viteve në Kosovë dhe vendet e Jugosllavisë. Nëse ai kupton ai çlirohet nga një gjë e keqe dhe kjo ndihmon demokracinë serbe. Nuk e ndihmojnë këto pazarllëqe. Nuk ka demokraci në Serbi nëqoftëse nuk pranohet ky krim.
RADIO EVERIOPA E LIRË
Së fundit, ka ide për opsionin politik se pavarësia e Kosovës mund të pranohet me ndarjen territoriale të saj. Si e komentoni ju këtë?
ISMAIL KADARE
Unë mendoj se kjo është vazhdim i atij keqkuptimi që e thashë. Kjo ndarje është një pazar jo i pastër dhe po them me përgjegjësi të plotë, kjo ndarje do të hapi radhën e një konflikti të ri të pambarueshëm në Ballkan. Do të hapi vatra sherresh, grindjesh të cilat do të kushtojnë jashtëzakonsith shtrenjtë popujve këtu dhe Evropës bashkë. Prandaj kjo nuk e zgjidhë, kjo nuk e mbyll, kjo hap një konflikt të ri të tmerrshëm. Nuk duhet të ketë simetri në punën e Kosovës. Prandaj e thashë, problemi kush e bëri krimin dhe kush e pësoi është themelor. Raporti me krimin është raporti themelor në pastrimin e një demokracie. Nuk mund të ketë raport tjetër më të fortë se ky.
RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë është paralajmëruar se në fund të negociatave 120 ditëshe, nëse ato dështojnë, mund të ndodhë shpallja e njëanashme e pavarësisë. A mendoni se komuniteti ndërkombëtar do ta pranoj këtë veprim?
ISMAIL KADARE
Natyrisht. Unë jam shkrimtar dhe njeri i kulturës dhe gjithmonë mendoj se çdo konflikt të zgjidhet në mënyrën më demokratike duke e shmangur dhunën, duke shmangur keqkuptimet, duke shmangur vdekjen. Por, kjo nuk duhet të shërbej si alibi që një popull mund ta poshtërojmë në të gjitha mënyrat. Në këtë rast, populli i Kosovës ka të drejtë të përgjigjet me të gjitha opsionet. Nuk bëhet lëshim kur është fjala për lirinë e një populli. Nuk ka negocim për këtë gjë. Ky popull ka të drejtë me të gjitha mënyrat të kërkoj lirinë e vet. Ta mbrojë deri në fund lirinë e vet.
RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se po ndikon elita intelektuale shqiptare në mbrojtjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës. A mendoni se nevojitet më tepër?
ISMAIL KADARE
Mendoj se Shqipëria duhet të bënte më tepër. Ata pseudofilozofitë e diplomaciës sonë disaherë që kanë dalë nga pjellë e një paaftësie dhe një mangësie morale ato janë jo qesharake por janë të dënueshme. Shqipëria nuk është një planet tjetër dhe po jep gjykime për Kosovën nga planeti Hëna, nga Bangladeshi ose nga Japonia. Shqipëria është vend i parë i interesuar dhe nuk e fshehë këtë gjë s’ka pse ta fshehë sepse do të ishte hipokrizi totale. Shqipëria është vendi që do ta ndiqte hap pas hapi problemin e Kosovës, të angazhohet me ndershmëri, me dinjitet, duke qenë sigurisht konstruktive, jo destruktive, prandaj Shqipëria – është moral i saj historik që e kërkon, është dinjiteti historik i një kombi. Ndaj shpresojmë që diplomacia jonë kohët e fundit, që është ripërtrië, si të thuash, ta korrigjoj këtë gjë.