Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes tha se gjatë kohës së luftës ai kishte dëgjuar për Kadri Veselin vetëm si emër e që sipas tij ishte person misterioz.
Ai tha se kishte dëgjuar që Veseli ishte person i respektuar në rangjet e UÇK-së, por që askush nuk fliste për funksionin e tij.
“E kishim dëgjuar z. Veseli si emër. Ka qenë një person shumë misterioz sepse na kishin thënë, ose të paktën kishte të dhëna që ai ishte shumë i afërt me Hashim Thaçin dhe se kishin qenë miq të ngushtë që në kohën e studimeve në Universitetin e Prishtinës në fillim të 1990 dhe ai ishte një person i respektuar në rangjet e UÇK-së, por askush nuk fliste për funksionet dhe rangjet e tij”, tha ai.
Gjatë kësaj kohe, Byrnes tha se nuk ishte takuar asnjëherë me Veselin, por që ishin përhapur fjalët që merrej me veprimtari të inteligjencës.
“Unë nuk e kam njohur z. Veseli dhe as nuk e kam takuar ndonjëherë dhe si fakt as nuk e kam idenë se çfarë bënte. Ishin përhapur fjalë që ai merrej me veprimtari Zbulimi apo inteligjencë”, tha ai.
Ndërsa, tha se hera e parë që është takuar me Veselin ka qenë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, konkretisht deri në qershor të 1999. Ai tha se takimin e parë e kishin pasur në Prishtinë.
“Me sa me kujtohet, ai u afrua dhe u prezantua. Tha unë jam z.Veseli. (A u prezantua për rolin?) nuk me kujtohet por nuk ma merr mendja”, tha ai.