Nusret Pllana, moderator gjatë luftës i lajmeve në radion “Ju flet Kosova e Lirë”, ka deklaruar se nuk i ishte dridhur zëri gjatë punës në radio, duke deklaruar se kishte raste kur bombardimet e Serbisë ndodhin pranë bunkerit.
Ai ka deklaruar Pllana të mërkurën se s’është meritori kryesor për raportimin gjatë luftës, duke shtuar se lajmet për Kosovën i janë dhënë botës direkt nga bunkeri.
“Kam pasur fatin të jem folësi i parë i ‘Radios Kosova e Lirë’, por kam qenë edhe ushtar i lirisë. Në rast nuk më është dridhur zëri…Në radion nga bunkeri kemi qenë të lidhur me NATO-n në Bruksel, kemi pasur reporterin Ekrem Krasniqi që ia ka përcjell NATO-s”, ka thënë Pllana.
Pllana, sot anëtar i kryesisë së Institutit për krimet gjatë luftës në Kosovë, ka shtuar se afër çlirimit të Kosovës, forcat serbe “shqelmat e fundit i kishin përdorur ndaj popullatës civile”.
Pllana i ka kërkuar popullit që të njohë kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shtuar se lufta nuk duhet të harrohet.