Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, paralajmëron rrezik për gjendjen në arsim, për shkak se një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësve kanë kërkuar pushim pa pagesë për një vjet.
Në një intervistë për Gazetën Blic, Jasharaj ka theksuar se numri i mësimdhënësve që kanë kërkuar pushim pa pagesë është rreth 300.
“Duket se edhe sektorin tonë e ke prekur liberalizimi. Pasi që mediat vitin e kaluar e kishin prekur si temë, ne i angazhuam kryetarët që kemi në nivele komunale, të shohin pak nga afër dhe të na mundësojnë që të kemi shifra qoftë dhe jozyrtare, sepse shifrat zyrtare i kanë drejtoritë arsimore, ngase kolegët e mi për pushimin 1 vjet pa pagesë i drejtohen drejtorive arsimore. Ata janë punëdhënësit e tyre dhe ne na doli një numër që nuk mundet të jetë krejt i saktë, sepse nuk është zyrtar”, ka thënë kryesindikalisti i Arsimit.