Vetëm një në pesë paga në Kosovë mund të konsiderohet si pagë e jetesës, bazuar në një studim të publikuar në Institutin “Musine Kokalari” me autor Edison Jakurtin. Në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së, Jakurti të martën ka bërë të ditur se bazuar në kalkulimin për një familje katër anëtarëshe (dy të rritur dhe dy fëmijë në shkollë) 1152 euro kushton mbulimi i kostos së shpenzimeve bazike.
Sipas tij, aktualisht në Kosovë këtë pagë mund ta mbërrijë vetëm një në pesë të punësuar. Në sektorin publik, sipas tij, përqindja është më e mirë se në atë privat. Siç ka thënë Jakurti, në sektorin publik, paga aktuale i afrohet në 92 për qind asaj që e ka quajtur pagë të jetesës. E në privat, mesatarja e pagës afrohet tek 70 për qind e asaj që njihet si pagë e jetesës.
Jakurti ka thënë se paga e jetesës është shuma e mjaftueshme për shpenzime bazike e jetë të dinjitetshme dhe që s’merr parasysh nivelin e zhvillimit ekonomik, siç e merr paga minimale.
“Paga e jetesës duhet t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e familjes së punëtorit”, ka thënë ai. Në pagën e kalkuluar prej 1300 euro bruto (1152 euro neto) për një familje katëranëtarëshe, sipas Jakurtit janë llogaritur edhe shpenzimet për ushqim e pije, veshmbathje, qira, mirëmbajtje të shtëpisë, shëndet, transport, shpenzime të komunikimit, rekreacioni, arsimi, ushqimi jashtë vendit e që fëmijët të shkojnë në shkollë publike dhe në këmbë. Ka thënë se për studim ka përdorur metodologji të njohura ndërkombëtarisht.
Për të ndihmuar në këtë aspekt, Jakurti ka thënë se Qeveria e ka si instrument intervenimin përmes ngritjes së pagës minimale.
Jakurti ka thënë se dallime të mëdha te punëtorët ka edhe në aspektin gjinor. Sipas tij, për burrat në sektorin publik paga duhet të rritet për 32 euro për ta arritur pagën e jetesës e për gratë 125 euro.
Ndërsa për një punëtor që jeton i vetëm dhe me qira, sipas kalkulimeve të tij, paga bruto duhet të jetë 816 euro apo 720 neto.
Jakurti ka thënë se paga aktuale minimale (170 euro) dhe ajo e propozuar nga Qeveria Kurti (250 euro neto) kanë hendek të madh me pagën e jetesës.
Jakurti ka shtuar se për të zbutur tendencën e ikjes së punëtorëve, Qeveria duhet të rrisë pagën minimale, e bizneset duhet patjetër të rrisin pagat. Po ashtu, problematike e ka paraqitur edhe mungesën e sindikatave te sektori privat.