Pavarësisht reduktimit të ndjeshëm të trupave në Gazën Jugore, Izraeli duket se nuk ka hequr dorë nga operacioni i shkallës së gjerë në Rafah.
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Joav Gallant, bëri të ditur se largimi i ushtrisë nga Gaza u realizua për t’u përgatitur për misionin e radhës në jug të territorit, aty ku është përqendruar edhe pjesa më e madhe e popullsisë palestineze të zhvendosur si pasojë e luftës.
“Forcat po largohen dhe po përgatiten për misionet e tyre të radhës. Ne pamë shembuj të misioneve të tilla në operacionin në Shifa, si dhe të misionit të tyre të ardhshëm në zonën e Rafah”, tha Gallant.
Sinjale pozitive erdhën nga Egjipti, ku kanë rinisur bisedimet e paqes me palëve në konflikt. Një burim egjiptian zbuloi se negociatat kanë shënuar përparime dhe se është arritur një ujdi mbi pikat kryesore. Siç thuhet, bisedimet do të vazhdojnë gjatë 48 orëve të ardhshme. Por, shpresat për një zgjidhje i zbeh deklarata e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se Izraeli nuk do të pajtohej me një armëpushim derisa të lirohen pengjet që mbahen në Gaza: “Ia kam bërë të qartë komunitetit ndërkombëtar: nuk do të ketë armëpushim pa kthimin e pengjeve. Thjesht nuk do të ndodhë. Kjo është politika e qeverisë së Izraelit dhe e mirëpres faktin që administrata Biden e bëri të qartë dy ditë më parë se ky është ende qëndrimi i tij. Dua të sqaroj edhe një gjë: Izraeli nuk është ai që pengon marrëveshjen”.
Sakaq, në Izrael mijëra persona kanë marrë pjesë në protesta për të kërkuar një marrëveshje për lirimin e pengjeve teksa u shënuan 6 muaj nga sulmet vdekjeprurëse të Hamasit. Manifestuesit bënë thirrje për dorëheqjen e Netanjahut, ndërsa zemërimi për fushatën e egër në Gaza është shtuar jashtë dhe brenda vendit. Izraeli pretendon se po punohet për të shmangur viktimat civile. /A2CNN