Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, së bashku me bashkëshortin e saj Jared Kushner, këto ditë kanë qëndruar për vizitë në qytetin e Vlorës dhe në ishullin e Sazanit.
Vizita u mbajt nën masa të rrepta sigurie dhe jashtë vëmendjes së mediave.
Sipas burimeve ndërkombëtare, çifti u ndal fillimisht në ishullin e Sazanit, ku parashikohet të realizojnë një projekt investimi të përmasave të mëdha.
Pas miratimit nga autoritetet shqiptare për zhvillimin turistik të zonës, Kushner është duke promovuar ndërtimin e një resorti ultra-luksoz në këtë ishull strategjik të Adriatikut.
Projekti ambicioz parashikon një investim rreth 1.4 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, restorantesh dhe hapësirash akomoduese në një sipërfaqe prej rreth 45 hektarësh.
Pas vizitës në ishull, “A2CNN” raporton se Ivanka dhe Jared janë parë duke shëtitur në shëtitoren ‘Lungomare’ të Vlorës, ku gjithashtu kanë drekuar në një prej restoranteve të njohura të zonës.
Në një fotografi të publikuar, ata shfaqen pranë një prej kuzhinierëve dhe administratorëve të lokalit.
Ishulli i Sazanit, me një sipërfaqe totale prej 562 hektarësh, ka qenë për dekada një bazë ushtarake, por që nga dhjetori i vitit të kaluar është nxjerrë nga përdorimi ushtarak, duke hapur rrugën për zhvillim turistik dhe ekonomik.