Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë të ditur se ka propozuar që Kuvendi në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara aprovon rezolutën për “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, të njejtën rezolutë ta mbështesë edhe Kuvendi i Kosovës.
Deputeti i PDK-së, ka thënë se kjo është mënyra më e mirë për Kosovën që t’i bashkohet botës demokratike në dënimin dhe përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë.
Shkrimi i tij:
Sot, në Kryesi të Kuvendit të Kosovës, kam propozuar që Kuvendi ne ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara aprovon rezolutën për “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, të njejtën rezolutë ta mbështesë edhe Kuvendi i Kosovës.
Duke mos qenë anëtare e OKB-së ku do të ishim përkrahës të natyrshëm të kësaj rezolute, kjo është mënyra më e mirë për Kosovën që t’i bashkohet botës demokratike në dënimin dhe përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë.
Ballafaqimi me të kaluarën është më se i nevojshëm dhe politika gjenocidale dhe serbomadhe e Beogradit ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Kroaciaë, duhet të ndëshkohet dhe përkujtohet, me qëllim që ajo kurrë të mos rikthehet në rajon.