Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, ka folur rreth zgjedhjeve të ardhshme, që pritet të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025.
Sipas Hoxhajt, zgjedhjet e 9 shkurtit janë “referendum” për largimin e VV-së nga qeveria.
“Nëse unë them se zgjedhjet e ardhshme janë referendum, dhe referendumin e mendoj që ta largojmë Vetëvendosjen nga qeveria, jo pse ia kemi inati kësaj partie por edhe Kurtit, por për dëmet që i ka bërë, mendoj që kjo e bën të qartë se ne dhe Vetëvendosje jemi në dy dimensione që asnjëherë nuk takohemi” – ka thënë ai.
I pyetur për një bashkëpunim me VV-në, Hoxhaj ka thënë se nuk sheh ura bashkëpunimi mes PDK-së dhe VV-së.
“Nuk e them këtë që të bëjë lajm, nuk e them kundër Kurtit apo Vetëvendosjes, por nëse ne duam që ta rikthejmë vendin në binarë, dhe nëse vendi mendon se zgjedhjet e 9 shkurtit janë zgjedhje për një riorientim atlantik të vendit, unë nuk shoh ura të bashkëpunimit mes PDK-së dhe VV-së për shkak të politikave që i kemi, orientimeve dhe qasjes. Jo për shkak të së kaluarës, jo për shkak të ndonjë dallimi tjetër, por për shkak se jemi dy binarë që s’takohen asnjëherë”, tha Hoxhaj në “DPT te Fidani”.