Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kujtuar sot 34 vjetorin e vizitës historike të delegacionit nga SHBA që qëndruan në Prishtinë më 29 gusht 1990, të prirë nga Bob Dole.
Hoti thotë se kjo vizitë e senatorëve e kongresistëve amerikanë ka qenë pikënisja e përkrahjes së SHBA-së për Kosovën për të larguar regjimin serb nga Kosova.
Deputeti i LDK-së thotë se kërkesat e presidentit Rugova atë kohë kishin qenë të qarta, se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje për paqe në Ballkan.
“Kjo vizitë u pasua nga udhëtimi i Presidentit Rugova në SHBA menjëherë në shtator 1990, për ta ripërsëritur qëndrimin e tij të mbështetur nga populli i Kosovës”, ka shkruar Hoti.
“Sot, pas 34 vitesh reflektojmë shumë më qartë për rëndësinë historike të kësaj vizite. I gjithë populli i Kosovës mbetet thellësisht mirënjohës për rolin e këtij delegacioni, i cili hapi dyert e SHBA-së dhe botës perëndimore për të siguruar mbështetjen për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës”, shton ai.
Politikani kosovar në fund ka shkruar se përpjekjet e Kosovës për integrim në BE dhe NATO po vazhdojnë./Express/