Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministri i parë shqiptar i një Qeverie teknike në Maqedoninë e Veriut.
Ai mandatin e tij e ka marrë të dielën përmes votave të deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, ku u votua me 65 vota pro, tri kundër dhe asnjë abstenim.
Talat Xhaferi në cilësinë e mandatarit i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë, përfshirë edhe programin qeverisës.
Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi nëpërmjet një postimi në Facebook ka shpalosur emrat të cilët do të jenë pjesë e kabinetit të kryeministrit të parë shqiptar.
Emrat e propozuar nga BDI-ja për kabinetin qeveritar teknik janë Artan Grubi- ministër për Sistemin politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Bujar Osmani- ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi-ministër i Financave, Jeton Sheqiri- ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ndërsa zëvendësministër i Arsimit është propozuar Agim Nuhiu, zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi dhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme Nazim Bushi.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se marrëveshja paqësore e Ohrit i ka dhënë leje Talat Xhaferit që të bëhet zot në shtëpinë e tij.
Kështu ka thënë ai nga foltorja e Kuvendit, në ditën kur Talat Xhaferi pritet të bëhet kryeministër i një qeverie teknike në Maqedoninë e Veriut, raporton Klan Kosova.
“Marrëveshja paqësore e Ohrit i dha leje Talat Xhaferit të jetë zot në shtëpinë e tij. Fituan turqit, romët, vllehët, serbët, të gjithë fituan me marrëveshjen paqësore të Orhit dhe kjo marrëveshje neve na ka bërë zot në shtëpinë tonë dhe ju duhet të jeni krenar sepse për këto 22 vite bashkë kemi punuar”, është shprehur Ahmeti.
Ali kështu u është kundërpërgjigjur politikanëve maqedonas Milloshovski dhe Trajanov të cilët u shprehen të pakënaqur ndaj qeverisjes së Xhaferit.