Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se BE-ja po përpiqet të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe se SHBA-ja po ndihmon në këtë proces sepse, siç tha ai, normalizimi është absolutisht vendimtar.
“Nëse nuk ka normalizim, kjo do të thotë jostabilitet, do të thotë probleme. Dhe ndërsa evropianët duan ta shohin Serbinë mes tyre, brenda strukturave të tyre, ata duan që Serbia të zgjidhë ose të paktën të adresojë problemet e saj përpara se të hyjë në BE,” theksoi Hill në një intervistë në prag të Ditës së Pavarësisë Amerikane për revistën “Diplomacy & Commerce”, shkruan Tanjug.
Për deklaratën se pikëpamjet e tij ndonjëherë janë të ndryshme nga qëndrimet e disa zyrtarëve dhe politikanëve evropianë lidhur me njohjen e Kosovës, si hapi i fundit në rrugën e Serbisë drejt BE-së, Hill theksoi se atë që evropianët po e bëjnë në këtë drejtim, po e bëjnë drejt, e kjo është përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Në një deklaratë muajin e kaluar, Hill pati thënë se beson se njohja de jure e Kosovës nuk do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian.
Duke folur për Marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Hill tha se ajo “përcaktoi disa fusha” në të cilat dy vendet duhet të përcaktohen dhe përmendi se “njëra prej tyre është nevoja për ta krijuar një bashkësi të komunave serbe”.
“Kjo nuk ka filluar me Ohrin, e dini, ka rreth 11 vjet dhe mendoj se është koha për ta zbatuar, por që në kontekstin e zbatimit ka një pasqyrë të qartë për serbët që jetojnë në Kosovë. Ka edhe elementë të tjerë që duhet të adresohen, përkatësisht normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe besoj se kjo mund të bëhet dhe duhet të bëhet në kontekstin e rajonit. Rajoni i Ballkanit po fillon të ketë gjithnjë e më shumë modele bashkëpunimi midis të gjitha vendeve, dhe shpresoj se mund të realizohet, por sinqerisht, jam i zhgënjyer që nuk mundëm të bënim më shumë”, tha Hill në një intervistë në mediumin serb, NIN.
Marrëveshja e Ohrit përmban njohjen ‘de facto’, por i pyetur se a nevojitet njohja zyrtare që Serbia të hyjë në BE, Hill tha se europianët kërkojnë normalizim, ndërsa përmendi se në BE ka edhe vende tjera që s’e njohin Kosovën.
“Unë nuk mendoj kështu. Ajo që europianët kërkojnë është pikërisht ajo që ata thonë se kërkojnë, që është normalizimi. Ata duan paqe dhe siguri në rajon, dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të Bashkimit Europian që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi ta arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që bashkojnë realisht dhe shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarë po themi në të vërtetë këtu për të ardhmen dhe si do të duket jeta e njerëzve. Dhe kështu unë do të doja të shihja shumë më tepër përparim në këtë front të normalizimit, dhe është e qartë se BE-ja e ka gjithashtu këtë në mendje”, tha ambasadori amerikan.
Hill tha se SHBA-ja e mbështet cilindo vend që ka aspirata të anëtarësohet në BE, dhe tha se “kjo është pikërisht ajo që bëjmë në Serbi”.
“Serbia ka gjëra për të bërë në fushën e sundimit të ligjit dhe çështje të ngjashme, të gjitha ato kapituj që janë hapur deri më tani me Bashkimin Europian. Prandaj, detyra jonë është që të përpiqemi ta ndihmojmë Serbinë në këtë përpjekje, sepse mendoj se është mjaft e qartë se Serbia do të jetë në Bashkimin Europian në të ardhmen”, tha Hill. /Express/