Nënkryetari i LDK’së Lutfi Haziri ka reaguar lidhur me deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit e cila ka ndryshuar mendim për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn.
Osmani, në të kaluarën shprehte besim të plotë në ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të dyshuar për skandalin financiar me energjinë.
“Si presidente pres që çdo gjë që publikohet të konfirmohet, dhe nëse nuk konfirmohen ne procedojmë ashtu si i kemi marrë vendimet tona dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës sonë kur mohon akuza të tilla”, kishte deklaruar Osmani.
Mirëpo ajo ka ndryshuar mendim. Në një intervistë në Kallxopernime Osmani tha se Berishaj duhet të shkarkohet nga detyra derisa të përfundojnë procedurat hetimore ndaj tij.
Lidhur me këto deklarata të saj ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ku sipas tij ajo se çfarë tha Osmani është shqetësuese.
Ai tha se “bombat” e Presidencës në oborrin e qeverisë nuk mund të kalojnë pa pasoja.
“Kur Presidentja e Republikes, si autoriteti më i lartë në politiken e jashme, kërkon veprim nga Qeveria në raste specifike si tani, atëherë nuk do duhej të mendohej dy herë. Ajo faktoi që rasti është shqetësim serioz dhe duhet të sanohet. Po ashtu, nënvizoi avari serioze në politiken e jashme deri të oferta e pakuptimtë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Qeveria, nëpërmjet një letre nga Qeveria. Kjo nënkupton edhe dorëhëqjen e Ministres së Jashme dhe ambasadorëve që kanë rrëshqitur në biznese të dyshimta e jo në perfaqësim kredibil të Republikës. Keto “bomba” të Presidencës në oborrin e qeverisë nuk kalojnë pa pasoja!”, ka thënë ai.
Tutje Haziri ka folur edhe rreh raportit të Osmani me Kurtin
“U tha që raporti për shtetin do të mbahet? Pra, kemi komunikim në publik, por jo koordinimin shtetëror e institucional. Presidentja ka pasur rol zjarrëfikësi me partnerët ndërkombëtarë dhe ka amnistuar qeverinë edhe për veprimet e pakoordinuara me aleatët, duke garantuar me emrin dhe rolin e saj. Por, tani moskoordinimin me Presidencën s’ka kush e sanon. Asgjë e rë. Përdorimi politik është mendësi e Kurtit. Mosmirënjohës e mosfalënderues ndaj të gjithëve, e në fund edhe ndaj Presidencës. Nuk bën përjashtim ajo“, u shpreh Haziri.
Ai poashtu ka folur edhe nëse Osmani e ka derën “hapur” në LDK.
“Siç e tha edhe vetë Presidentja! Nuk mund ta heqin qafe lehtë, por ka thënë edhe kush kerkon beteja, beteja do të ketë. Një Presidente në zyrë nuk shikon prapa për kthim në zyrë partie, por përpara, në mandatin e saj të dytë. Cila rrugë do të jetë ajo që do ta zgjedhë, mbetet për t’u parë. A do të vazhdojë me ‘guximtarët’ apo si, do te shihet. Vjosen që njoh une, kur vendos me vepru, ajo ndodhe. Ndërkaq, Vjosa si Presidente, a ka ndryshuar mentalitet politik, mbetet për t’u pare”, u shpreh Haziri për Periskopin.