Ftesën e Prokurorisë Speciale për intervistim të kryeministrit Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po e konsideron përpjekje për ta dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Duke e përmendur rastin e rezervave shtetërore, ajo thotë se ftesa ka mundur të bëhet më herët.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për KosovaPress thotë se Prokuroria Speciale po zhvillon “një luftë speciale” kundër qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Rasti i rezervave shtetërore ka ndodhur gjegjësisht para më shumë se 1 viti, dhe ishte e çuditshme se si prokuroria në kohën kur kryeministri Kurti, si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesia e LVV-së diskutonin për listën e kandidatëve për deputetë, njoftohem nga kryeministria që për të paska ardhur një ftesë në cilësinë e dëshmitarit në raport me këtë rast. Sigurisht që nuk ishte diçka e habitshme, por në fakt është një tregues i qartë i luftës speciale që kjo prokurori po e bënë kundrejt kryeministrit Kurti”, thotë Haxhiu.
Sipas Haxhiut, kjo ftesë është tendencioze.
Kryeministri nuk u paraqit sot në prokurori, siç parashihej në ftesë, me arsyetimin se ndodhet në një udhëtim jashtë vendit – të planifikuar më herët.
Më vonë, Zyra e Kurti tha se “kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”.
Këtë, Haxhiu e konsideron si diçka “normale nëse Prokuroria Speciale dëshiron dëshminë e Kurtit për rastin penal për të cilën është ftuar”.