Ndërsa, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka thënë se rajoni po kalon moment delikat, e sipas tij, siguria dhe stabiliteti “janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër në dekadën e fundit”.
Ai ka deklaruar se si anëtare e NATO-s, Shqipëria po i ndjek me vëmendje zhvillimet në rajon, derisa ka shtuar që “të mos çohen ushtri fqinjit në kufi”
“I ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon, dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Bëjmë thirrje gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri, dhe askush s’duhet të vazhdojë më këtë lojën sepse është qesharake. Sepse të gjithë jemi qartë se garancia më e madhe për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës është NATO ku edhe Shqipëria është pjesë”, është shprehur Hasani.
Sipas tij, sulmi në Banjskë ishte kërcënim i rëndë për rajonin dhe Evropën, derisa ka bërë thirrje që agresorët të dalin para drejtësisë.
“E kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm, të orkestruar dhe të armatosur kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë e stabilitetit e të gjithë rajonit tonë me pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme. Prandaj, tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende, ato forca që besojnë te pasja e stabiliteti, te bashkëpunimi e integrimi euroatlantik të punojnë se bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tonë”, ka shtuar ai.
Sipas Hasanit, Kosova e Serbia duhet të bëjnë përpjekje për të ardhmen e përbashkët.