Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës është në mbështetje siç i quan ai, mashtrimeve të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani. Haradinaj akuzon LDK-në se në shumë situata nuk ka qenë e unifikuar me opozitën dhe ka mbështetur pushtetin.
Haradinaj për KosovaPress flet edhe për draft-statutin e Asociacionit, të propozuar nga emisarët euro-amerikanë, për të cilin thotë se ka elementë shqetësues, mirëpo thekson se Gjykata Kushtetuese mund ta pastrojë atë dhe t’i largojë nenet jokushtetuese.
“(Presidentja Osmani) Është staf i Kurtit dhe të gjithë të tjerët nga Lista Vetëvendosje, Osmani, Konjufca janë staf i Kurtit dhe e përcjellin mashtrimin e Kurtit, janë pjesë e këtij mashtrimi. Për fat të keq edhe një pjesë e opozitës tonë, shihet se LDK-ja është në mbështetje të këtyre mashtrimeve në shumë situata deri më sot, që nga votimi i presidentes pastaj mospërkrahja e mocionit dhe shumë raste edhe kjo prezenca për me i bë një lloj dekori fjalimit vjetor të presidentes, e cila s’pati asnjëherë gjatë gjithë vitit një qëndrim të prerë për të cilëndo çështje të rëndësishme të jetës sonë”, thotë Haradinaj.
Lideri i AAK-së kërkon nga kryeministri Kurti të tregojë sesi e ka paraparë implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, meqenëse sipas tij, e ka pranuar të njëjtin në kuadër të marrëveshjes së Brukselit, madje ka kërkuar edhe nënshkrim e palës tjetër.
Haradinaj e sheh të pamundshme që të ndryshojë versioni i draft-statutit të Asociacionit, pavarësisht vërejtjeve të kryeministrit Kurti te ndërmjetësit.
Andaj, ai thotë se nëse dokumenti dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese kësisoj siç iu është prezantuar partive opozitare, atëherë do të dërgojnë komente në kushtetuese për të kundërshtuar disa nene të draft-statutit të Asociacionit.
Sipas tij, kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Konjufca e kanë pranuar draft-statutin e Asociacionit, ani pse ka elemente shqetësuese brenda tij.
Për këtë arsye, ai i sheh si jorelevante, siç thotë tendencat për të paraqitur diçka tjetër në publik.
Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, javën e kaluar kanë bojkotuar fjalimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës.
Në anën tjetër, presidentja Osmani ka paralajmëruar se do t’i thërras partitë opozitare në takim për të diskutuar në lidhje me dialogun me Serbinë dhe draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.