Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke e cilësuar të njëjtën si ‘‘qeveri e territ’’, shkruan Gazeta Express.
I pari i AAK-së ka përmendur edhe kundërshtimin që i është bërë gazit amerikan, nga pushtetit.
Tutje, Haradinaj ka thënë edhe se qeveria e udhëhequr nga VV-ja e ka shtrenjtuar rrymën dhe se të njëjtit ‘‘nuk qiten në dritë’’ asgjë.
Postimi i plotë:
Kjo Qeveria e territ,
Ma patën kundërshtuar me krejt fuqinë, projektin e kontraktuar të termocentralit “Kosova C”, që Kosovën e bënte fuqi energjetike, me arsyetimin se çmimi i megavatit prej 80 eurosh, ishte i lartë e sot e paguajnë mesatarisht ka 400 euro;
E kundërshtuan gazin amerikan e dolën me bajrak kundër tij;
U përfshinë në tregëti të energjisë, deri me GEN-in e Beogradit dhe u vunë në mbrojtje të sekserëve të tyre si Martin Berishaj e Nagip Krasniqi, që kishin shpërdoruar miliona euro të buxhetit të Kosovës;
Kur e morën pushtetin, bojshin hajgare me “bojlera e filtera”;
Tash kur Kosova është në kolaps energjetik dhe kur pjesa më e madhe e vendit është në terr, mundohen ta shkarkojnë fajin te KEDS-i;
E shtrenjtuan rrymën për tri herë e asgjë nuk qiten në dritë;
Këta kurrë asgjë nuk qiten në dritë. /GazetaExpress